Basha me peshkatarët e Shëngjinit: Kantier për riparimin e anijeve

20/10/2015 13:00

Peshkatarët në Lezhë i treguan kryetarit të opozitës, Lulzim Basha, disa shqetësime që i pengojnë në punën e përditshme dhe u sjellin vështirësi, duke nisur nga burokracitë e shtuara për ushtrimin e aktivitetit e deri te rritja e taksave.

Por shqetësimi më madhor i shprehur nga njëri prej peshkatarëve, ishte frika nga pamundësia për ta ushtruar profesionin dhe për të nxjerrë fitime prej tij, në disa zona të bregdetit në Lezhë.

“Nuk flitet me Ministrinë e Bujqësisë asnjë fjalë për peshkimin detar, sepse ai është privat. Flitet vetëm për laguna, sepse ato kanë ngelur e vetmja pasuri pa u marrë, edhe ato po i marrin. Ishulli i Shëngjinit përgatitet për t’u marrë nga një deputet. Vilunin mendohet ta marrë një mik i kryeministrit, menjëherë. Për ato flitet”, tha një peshkatar i zonës.

“T’ia japësh lagunën dikujt, që s’ka mbajtur kallam peshkimi në dorë ndonjëherë, vetëm e vetëm që të shesë licencën siç ishte rasti i lagunës së Patokut, kjo është një aferë e pastër korruptive dhe kriminale. Unë ju jap fjalën e nderit se, javën e parë në pushtet do t’i shfuqizoj të gjitha këto koncesione. Ju do të jeni ata, që do të keni në dorë sektorin. Ju do të jeni ata, që do të përfitoni drejtpërdrejt lehtësitë në këtë sektor”, tha kryeopozitari Basha.

Peshkatarët ngritën si shqetësim edhe çështjen e rritjes së kostos për shkak të vendimeve të fundit të qeverisë.

“Tani na kanë hequr të drejtën e të shkuarës në Itali për me marrë naftën. Shteti shqiptar na e ka dhënë naftën me TVSH”, tha një peshkatar.

“Sa lekë e merrje naftën?”, pyeti Basha.

“Aty vjen me 4 lekë, këta e shesin me 7; ai tjetri e shet 13 lekë”, u përgjigj peshkatari.

“Na japin naftën me TVSH, prodhimin duhet ta shesim me TVSH, por TVSH-në nuk na e njohin 100% të rimbursueshme”, tha një tjetër peshkatar.

“Nafta pa akcizë do të jetë në dispozicion të çdo peshkatari, jo vetëm të atyre që shkojnë e lyejnë rrotën e pushtetit në Tiranë”, deklaroi Basha.

Kryetari i opozitës tha se, për peshkatarët po mendohet jo vetëm çmimi më i ulët për marrjen e licencës, por edhe reduktimi në një sportel të vetëm, nga 5 hallka dhe 3 qytete, ku ata duhet ta marrin aktualisht licencën e peshkimit.

Top Channel