“Expo Milano” flet shqip në ditën e lumturimit të Nënë Terezës

19/10/2015 16:15

Në ditën e lumturimit të Nënë Terezës, Shqipëria zgjodhi ditën e saj kombëtare në “Expo Milano”, që shënon edhe ditën kur e gjithë vëmendja e ekspozitës përqëndrohet te promovimi i një vendi me kulturën, historinë, traditën, muzikën e folklorin, kulinarinë dhe atraksionet turistike e natyrore.

Me rastin e lumturimit të Nënë Terezës, e gjithë “Expo”-ja flet shqip.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj, dhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ishin të pranishëm në pavionin e Shqipërisë, ku bënë prezantimin e vendit nga performanca ekonomike, klima e biznesit, mundësinë për investime, duke vënë theksin te turizmi për shkak të natyrës, mikpritjes shqiptare dhe kulinarisë, ndërsa si pjesë e ofertës turistike të vendit u promovuan edhe turizmi historik e kulturor, ekoturizmi, turizmi i aventurës apo agroturizmi.

“Shqipëria nuk është ajo e 50 viteve më parë. Shqipëria është vendi që ‘Neë York Times’ e cilëson si një nga 50 destinacionet që duhet vizituar me patjetër. Ne jemi vendi i dytë në Europë për burime ujore, ndaj dhe janë shumë mundësi për të investuar. Sigurisht, me ligjin e ri të turizmit, ne ftojmë investitorët që të investojnë në vijën bregdetare, e cila është shumë e bukur, edhe pse jo aq e sofistikuar sa jugu i Francës apo i Italisë. Por, nëse ju keni 1 euro dhe dëshirën për të investuar në Shqipëri, jeni të mirëpritur”, u shpreh ministri Arben Ahmetaj.

Dita Kombëtare e Shqipërisë afroi shumë vizitorë në pavion, të cilët ndoqën aktivitetet promovuese.

Top Channel