Bie kërkesa e bizneseve për kredi

17/10/2015 13:25

Kërkesa e bizneseve për financim nga bankat u ul për të tretin tremujor me radhë. Një vrojtim i fundit i Bankës së Shqipërisë tregon se në tremujorin e tretë të vitit, sipërmarrjet vijuan të rrudhnin sërish kërkesën për kredi, një tendencë e nisur që në fillim të vitit.

Sipas bankës qëndrore, rënia më e fortë është vënë re tek bizneset e mëdha dhe veçanërisht në kredinë që merret për investime, ndërsa kërkesa e bizneseve të vogla është rritur dhe po kështu edhe kërkesa e individëve. 

Të dhënat zyrtare tregojnë se në fund të gushtit, stoku total i kredisë që bankat kanë dhënë për biznesin ra në 359.2 miliardë lekë nga 372.8 miliardë që ishte në gushtin e një viti më parë. Rrudhja e fortë, përveçse fshirjen e kredive të këqija pasqyron  kërkesën anemike të bizneseve për të financuar zgjerimin e aktivitetit të tyre me kredi të reja dhe kjo e vendos ekonominë përpallë një problemi shtesë.

Në gjysmën e parë të vitit, e gjithë rritja në prodhimin kombëtar erdhi nga investimet e reja,  ndërsa konsumi dha efekt negativ, pasi familjet i ulën shpenzimet për të tretin tremujor me radhë. 

Përballë rënies së kredisë, INSTAT thotë se pjesa dërrmuese në shtesën e investimeve është financuar me burimet e veta të biznesit ose nga fondet publike të buxhetit, ndonëse disa kritikë kanë rezerva.

Por përtej këtij debati, qoftë fondet e brendshme të biznesit, ashtu dhe ato të buxhetit janë dy burime që nuk mund të garantojnë rimëkëmbjen e qëndrueshme të investimeve. Kjo do të thotë se nëse biznesi do vijojë të qëndrojë larg bankave, ekonomia mund të humbasë edhe motorin e vetëm që po e mban prodhimin në terren pozitiv.   

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA