Bulqizë, banorët në mbrojtje të pyjeve

16/10/2015 09:00

Dhjetëra banorë në Fushë-Bulqizë kanë protestuar në mbrojtje të pyjeve. Protesta e tyre është zhvilluar para zyrave të njësisë administrative Fushë-Bulqizë, në Bashkinë e Bulqizës.

Banorët kundërshtojnë hapjen e një rruge automobilistike që një firmë tenderuese po ndërton për shfrytëzimin e pyjeve në këtë zonë. Sipas kryeplakut Lahim Deda, firma po punon ilegalisht, pasi në asnjë rast nuk e ka bërë transparente licencën për shfrytëzimin e pyjeve. 

“Ne po protestojmë, por askush nuk po na dëgjon”, tha kryeplaku.

Banorët janë të revoltuar pasi ndërhyrjen e firmës e konsiderojnë të paligjshme, gjë që sipas tyre këtë e ka pohuar edhe vetë Prefektja e Qarkut të Dibrës, Donika Hyseni, në përgjigje të ankesës së bërë prej tyre.

Ndërkohë kryeplaku i fshatit Koçaj, Qemal Stafa, denoncon se në një shkresë zyrtare është përdorur firma dhe vula e tij si kryeplak, për dhënien e lejes për shfrytëzimin e pyllit, gjë të cilën ai e kundërshton kategorikisht.

Protesta u zhvillua e qetë dhe nën vëzhgimin e policisë.

Top Channel