Shqipëri-Çeki, forum ekonomik në Pragë. Rama: Kemi më shumë mundësi

14/10/2015 00:00

Në Republikën e Çekisë është zhvilluar një forum ekonomik, ku morën pjesë kryeministrat Sobotka dhe Rama, për t’i dhënë një dinamikë të re bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

“Nga janari 2005, Shqipëria ka eksportuar në Çeki mallra me vlerë 48.9 milionë euro, ndërsa Çekia ka eksportuar në Shqipëri mallra me vlerë 225 milionë euro. Peshën më të madhe të importeve nga Çekia e përbëjnë makineritë, ndërsa të eksporteve nga Shqipëria, mineralet dhe mallrat e konsumit. Megjithatë është e qartë për të gjithë, që këtu kemi një potencial të madh dhe pothuajse të pashfrytëzuar dhe se, shifrat e sotme janë krejtësisht të papranueshme në raport me ambiciet e përbashkëta për të ardhmen”, ka thënë kryeministri Rama.

Gazsjellësin TAP, Rama e quajti si të rëndësishëm për Shqipërinë dhe Çekinë.

“Të dyja qeveritë tona janë angazhuar për ta zgjeruar bashkëpunimin ekonomik në sektorë të tjerë; turizëm, transport, bujqësi, energji apo infrastrukturë. Projekti madhor i TAP-it, që do të pasohet me gazifikimin e vendit, do të rrisë ndjeshëm potencialet për bashkëpunim midis dy vendeve tona”, shtoi më tej Edi Rama.

Ndërsa kryeministri Sobotka u shpreh se, ka ardhur koha e intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik.

“Në marrëdhëniet dypalëshe, ne kemi humbur shumë vite. Për mendimin tim, shkëmbimi nuk i përgjigjet potencialeve, që mund të thithin tregu shqiptar dhe ai çek. Marrëdhëniet tona ekonomike kanë nevojë për një impuls të ri. Unë jam i bindur, që vizita e zotit Rama do të ndihmojë për të realizuar projektet afatgjata të bashkëpunimit midis vendeve tona”, tha kryeministri çek Sobotka.

Në takimin me sipërmarrësit, kryeministri Rama shoqërohej edhe nga ministrat Ahmetaj dhe Klosi.

Top Channel