Fondet për administratën publike, Harito: Shqipëria ka plotësuar kushtet e Brukselit

14/10/2015 08:10

Shqipëria ka plotësuar kushtet e kërkuara nga Brukseli për të përfituar fondet e Instrumentit të dytë të Para-Anëtarësimit si mbështetje buxhetore për sektorin e administratës publike. Kështu deklaroi ministrja Harito pas takimit me Zëvendëspresidentin e Komisionit Europian, Andrus Ansip.

“Pra, në vitin që vjen, për shkak të suksesit që kemi arritur në zbatimin e reformës së administratës publike, shtetit shqipëtar do t’i derdhen fondet IPA drejtpërdrejt në buxhet dhe jo më nëpërmjet projekteve, siç ishte rasti deri tani, dhe kjo gjë bëhet e mundur për sektorin e reformës së administratës publike. Diskutuam gjatë me të (z. Ansip) për gjithë rëndësinë e mekanizmave dixhital për të luftuar korrupsionin në shërbimet publike, për gjithçka që Shqipëria ka arritur në kapitullin 10, kapitulli i shoqërisë së informacionit, në përafrimin me acquis communautaire deri në direktivat dhe dispozitat mê të fundit të Komisionit Europian në këtë fushë dhe nga ana tjetër, për të përfituar nga ato gjêra që kemi aktualisht në Shqipëri, si për shembull kartat elektronike të identitetit, nëpërmjet të cilave mund të bëhemi pjesë e interoperabilitetit në shkallë europiane, që përbën një nga prioritetet e mëdha të Komisionit Europian për atë që quhet tregu unik dixhital”, tha Milena Harito, ministre për Inovacionin dhe Administratën Publike.

Për  periudhën 2014-2020, BE-ja u zotua për 649.5 milionë euro gjithsej për Shqipërinë, përfitimi i të cilave kushtëzohet nga arritja e 62 rezultateve në tërësi, për objektivat e përcaktuara në çdo sektor dhe gjysma e këtij fondi është parashikuar për fushën e sundimit të ligjit, të drejtave themelore, demokracisë dhe mirëqeverisjes.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel