A mund të shmangeshin përmbytjet në Fier dhe në Vlorë?

14/10/2015 00:30

Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Shemsi Premçi ishte i ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” për të folur në lidhje me situatën e krijuar nga përmbytjet e ditëve të fundit në vend.

Premçi tha se përmbytjet e fundit nuk kanë ardhur vetëm si pasojë e fenomeneve natyrore, por edhe për shkak të papërgjegjshmërisë së institucioneve vendore. Ai tha se në Vlorë një hidrovor nuk ka funksionuar rreth 18 orë.

Pandi Gjata: Si paraqitet situata në Vlorë dhe në Fier? Sa sipërfaqe ndodhen nën ujë dhe cili është problemi më kryesor?

Shemsi Premçi: Momentalisht situata është përmirësuar dhe nuk bëhet fjalë për sipërfaqe nën ujë. Intensiteti i reshjeve të fundjavës së kaluar ka lënë gjurmë me prurjet e aluvioneve kryesisht në 4 lagje të Vlorës, si dhe në dy krahët e lumit Gjanica. Probleme pati edhe në segmentin rrugor Vlorë-Orikum ku pati një rrëshqitje masive. Gjithashtu u bllokua edhe segmenti Korçë-Ersekë për shkak të rrëshqitjeve të tokës. Situata është kryesisht e përmirësuar dhe në këto momente strukturat operacionale janë në krye të detyrës, duke përmbushur detyrimet ligjore.

Pandi Gjata: A mund të ishin shmangur përmbytjet këtë radhë? A funksionuan hallkat siç duhet dhe a dihej që situata do të ishte në këto përmasa në Fier dhe në Vlorë?

Shemsi Premçi: Situata meteorologjike është dhënë nga shërbimet e Gjeo-Shkencës dhe Qendra e Monitorimit të Përmbytjeve në Sllovaki nga ku ne marrim të dhënë gjatë gjithë kohës. Ne kemi marrë informacione në datën 7 tetor se në fundjavë do të ketë intensitet reshjesh. Për këtë janë informuar të gjitha institucionet shtetërore që të marrim masa për të kontrolluar gatishmërinë, aq më tepër për të raportuar mbi situatën se cili sektor sipas specifikave të emergjencave.

Pandi Gjata: A i kanë njoftuar banorët këto institucione?

Shemsi Premçi: Ne njoftojmë strukturat vendore dhe më pas ato sipas rrjetit të informimit që kanë njoftojnë qytetarët, por nuk ka funksionuar ashtu si duhet. Defekti kryesor që është konstatuar edhe nga dokumenti që mbart regjimin e aktivitetit të hidrovoreve, konkretisht në rajonin e Vlorës një hidrovor nuk ka funksionuar rreth 18 orë. Si pasojë e këtij problemi është përmbytur edhe qyteti i Vlorës, por nuk ka qenë ky problemi i vetëm. Edhe ndërtimet pranë kolektorëve janë bërë një rrezik permanent për përmbytje.

Pandi Gjata: A do të ketë përgjegjësi në të tillë situatë, në mënyrë që të mos kemi përsëritje?

Shemsi Premçi: Është në kompetencën e autoriteteve vendore, që të analizojnë situatën dhe të nxjerrin përgjegjësitë, madje të bëjnë edhe kallëzim për mungesë përgjegjshmërie e gatishmërie. Por edhe Prokuroria duhet të hetojë për dëmin që i është shkaktuar qytetarëve të Vlorës. Në këtë qytet nuk kemi të bëjmë vetëm me fenomenin e natyrës, por edhe me përgjegjësi.

Pandi Gjata: Në Vlorë pati përmbytje edhe në fillim të këtij viti. Nga ajo kohë a ka pasur një analizë të situatës? Çfarë masash u morën për këtë sezon?

Shemsi Premçi: Përmbytjet në fillim të këtij viti kanë ndodhur në zonën e Mifolit, por jo në qytetin e Vlorës. Përmbytjet në një nga komunat e Vlorës kanë ndodhur për shkak të intensitetit të lartë të reshjeve dhe kapërcimit të argjinaturave nga lumi i Vjosës. Por këtë herë është një tjetër situatë, ku përveç fenomenit natyror, duhet të ngrihet në lartësi përgjegjësia e institucioneve. Vlora tashmë ka një specifik që përveç shirave të para të vjeshtës që kanë prurje të lartë të aluvioneve, por sidomos pjesa lindore e Vlorës është dëmtuar tërësisht nga hapja e shesheve të ndërtimit, nga të cilat nuk janë marrë masa mbrojtëse që të ndalin rrëshqitjen e tokës. Për këtë nuk ka pasur një kontroll dhe për rrjedhojë, Vlora dhe akset rrugore të bregdetit në këtë qytet janë të kërcënuara. Nëse nuk do të ndërhyhet shpejt struktura e tokës nga “Uji i Ftohtë” deri në Orikum është e kërcënuar.

Pandi Gjata:  Nga shërbimet meteorologjike në vend, por edhe nga ato nga Sllovakia që keni komunikim të përhershëm, si parashikohet kjo vjeshtë dhe ky dimër? A do kemi probleme?

Shemsi Premçi: Të dhënat mund të jenë të sakta në një javë apo maksimumi në dy javë, por jo më gjatë. Shirat e parë të vjeshtës përbëjnë rrezik për shkak të prurjeve të para të aluvioneve, por edhe për shkak të mbetjeve. Dje është konstatuar se këto mbeturina ishin problemi kryesor duke bllokuar të gjithë kolektorët. Ne ju garantojmë se së shpejti një plan kombëtar i masave për menaxhimin e emergjencave civile brenda kësaj jave do të mbërrijë në të gjitha strukturat shtetërore dhe vendore. Ky plan hartohet çdo vit dhe ngarkon me përgjegjshmëri çdo strukturë shtetërore dhe vendore për t’u përgjigjur situatës dhe për t’u përgatitur për të katërta fazat e emergjencës; për paralajmërimin, planifikimin edhe menaxhimin në mënyrë perfekte, por edhe në rehabilitim. Gjithsesi, unë dua të them se përveç fenomeneve natyrore ne duhet të vlerësojmë edhe përgjegjësinë njerëzore dhe të mësohemi e edukohemi që përgjegjësitë t’i mbarojë çdo strukturë, por edhe ndëshkueshmëria duhet të ekzistojë, sidomos duke iu referuar rastit të Vlorës që jo çdo kush të “flejë mbi dafina” dhe ta mësojë përmbytjen e qytetit të tij nëpërmjet televizionit.

Top Channel