PD përkujton 15-vjetorin e vdekjes së Ali Spahisë

13/10/2015 00:00

Arben Imami, Natasha Shehu, Rushen Golemi, Eduart Selami e ish-kryeministri Sali Berisha ishin të pranishëm në një ceremoni përkujtimore që Partia Demokratike i bëri të martën Ali Spahisë në 15 vjetorin e vdekjes së tij.

Ali Spahia, një nga personalitetet e shquara të Partisë Demokratike, u vlerësua nga kryetari i kësaj partie, Lulzim Basha. Ai u shpreh se kjo është partia e njerëzve si Ali Spahia, e doktorit, e profesorit, e intelektualëve, e studentëve kurajozë, e njerëzve që e duan Shqipërinë me shpirt.

“Politikën e kanë parë që nga dita e parë e ekzistencës së kësaj force politike, si sakrificë e jo si biznes, as si mënyrë shpëlarje mëkatesh të të parëve apo të vetes së tyre. Kjo na diferencon dhe na ngarkon me përgjegjësi të madhe”, tha Basha.

Në prag të garës për kryetarin e ri Forumit të Partisë Demokratike, zoti Basha ka theksuar se Ali Spahia dhe “bashkëluftëtarët” e tij do të jenë frymëzim për të rinjtë.

“Të mbushur me frymëzimin që përcjell pa asnjë dyshim e kaluara jo e largët e Partisë Demokratike, të rinjtë do të dinë të bëhen pjesë e këtyre virtyteve, e këtij kohezioni, e kësaj Partie Demokratike, as të vjetër as të re; një parti demokratike përtërihet e ripërtërihet pa fund, besoj si pema  e blertë e ullirit, e paqes dhe  e demokracisë, për vlerat e të cilës kemi dhënë e do të vazhdojmë të japim gjithçka.

Në 15 vjetorin e ndarjes nga jeta, Ali Spahisë iu akordua nga kryetari i Partisë Demokratike një certifikatë  mirënjohje “Për kontributin e tij të çmuar në rrëzimin e regjimit komunist dhe vendosjen e vlerave demokratike në Shqipëri”.

Ali Spahia ishte deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë në vitet 1991-97. Ai ishte nënkryetar i Partisë Demokratike dhe kryetar i grupit parlamentar të PD-së. Spahia ishte edhe anëtar i Komisionit të Jashtëm Parlamentar të Shqipërisë. Gjatë kësaj periudhe ishte edhe kryetar i delegacionit shqiptar në Këshillin e Europës në Strasburg. Pas vitit 1997, ai ishte anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së dhe kryetar i Departamentit të të Drejtave të Njeriut të PD-së. Ali Spahia vdiq në Pavia (Itali) më 13 tetor të vitit 2000.

Top Channel