Dëmtimi i infrastrukturës, ARRSH: Sistemi rrugor, problematik

13/10/2015 15:20

Shirat e dendur kanë sjellë edhe këtë vit probleme në akset kryesore rrugore në vend, duke shkaktuar rrëshqitje të dherave dhe gurëve. Autoriteti Rrugor Shqiptar thotë se ka marrë masa për të risjellë në funksion këto akse dhe se situata është e përmirësuar.

“Problematik mbetet aksi Vlorë-Fushë Dukat. Aty ka patur ujëra të shumtë që kanë vërshuar mbi rrugë dhe aty kalimi bëhet me një korsi”, deklaron Dashamir Gjika, drejtor i përgjithshëm i ARRSH.

Kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar e justifikon problematikën e përvitshme rrugore në sezon shirash me amortizimin që kanë pësuar shumë akse, veçanërisht ato që të çojnë drejt bashkive të vogla.

Për t’i sjellë në gjendje normale, sipas zotit Gjika, këto rrugë kanë nevojë për ndërhyrje financiare dhe përmirësim në procesin e mirëmbajtjes.

“Vlera optimale që kërkohej për një ndërhyrje për t’i risjellë të gjitha këto akse në një standard bashkëkohor ishte diku tek 400 mln dollarë. Por, në pamundësi financiare për të patur në dispozicion këtë vlerë, në pesë vitet e ardhshme ky projekt me Bankën Botërore parashikon një investim prej 150 mln dollarësh”, thotë Gjika.

Në gjendje të rënduar kanë qenë akset Vlorë-Fushë Dukat, Ersekë-Korçë, Këlcyrë-Ballaban, Banjë-Drizë dhe aksi i ri i rrugës Banjë-Gramsh.

Top Channel