Përmbytjet, dëmtime në akset nacionale; në Vlorë humbi jetën një person

12/10/2015 00:00

Sasia e madhe e reshjeve, të rëna brenda pak orëve në pjesën më të madhe të vendit, la pas dëme të mëdha, përfshi edhe një person që humbi jetën në Vlorë.

Një 50-vjeçar, baba i 3 fëmijëve është rrëmbyer nga ujërat. Ndërkohë në Vlorë, përveç përmbytjes shumë të madhe në qytet, rrugëve të bllokuara, banesave dhe dyqaneve nën ujë, por edhe automjeteve që mbetën të bllokuara nën uje, u bllokua edhe rruga nacionale Vlorë-Orikum për shkak të rrëshkitjes së dherave dhe gurëve në rrugë.

Menjëherë nisi puna për hapjen e kalimit, ndërsa situata në rrugët e qytetit është e përsëritur dhe kërkon një plan më të zgjeruar për ndërtimin e kanaleve e hidrovoreve për të hequr ujin pas reshjeve.

Fieri është zona me dëmet më të mëdha nga reshjet. Janë me qindra shtëpi, që u përmbytën nga lumi Gjanica, i cili këtë herë arriti deri në bulevardin e qytetit. Me shumë se 500 banesa kanë pësuar dëme, për shkak se ky lum, që kalon në mes të qytetit, është bllokuar në të gjithë rrjedhën e tij dhe nuk ka ende një projekt.

Edhe deputetët e zonës së Fierit kanë kërkuar ndërhyrje urgjente në këtë lumë.

Një ditë pas vërshimit të ujërave janë evidentuar dëme të mëdha edhe në zonat rurale të Fierit. Hedhja e mbeturinave urbane nëpër kanale dhe mospastrimi kanë bërë, që ujërat të përmbytin qindra hektarë tokë në ish-komunën Dërmenas, ku më të dëmtuara janë fshatrat Dërmenas, Hoxharë e Vjetër, Shënpjetër dhe Povelçe.

Në Lushnje ka pasur përmbytje të disa banesave në qytet nga përroi i Lushnjes, si dhe shumë toka të përmbytura, por situta është mbajtur nën kontroll, për shkak se ka funksionuar sistemi i hidrovoreve. Ndërkohë, dëmet më të mëdha janë në disa parcela me produkte bujqësore, të cilat nuk kanë ende sistemin e kanalizimeve.

Probleme, reshjet shkaktuan edhe në akset nacionale. Në rrugën Tiranë-Elbasan, dje janë aktivizuar shembjet në zonën e Ibës. Dy ndërtesa, që u dëmtuan nga shembja e rrugës disa muaj më parë nisën të shemben sërish, ndërsa një sasi e madhe balte ra mbi rrugë. Me anë të një buldozeri u bë largimi në kohë i inerteve, duke mos lejuar bllokimin e rrugës. Ndërkohë që reshjet janë bërë shkak edhe për aksidente në rrugë.

Ujërat kanë vërshuar edhe në dhjetëra banesa, që ndodhen në fushën e Maliqit, ndërsa menjëherë është mbledhur Shtabi i Emergjencës për marrjen e masave.

Rruga nacionale në hyrje të qytetit të Ersekës u bllokua nga të paktën 2 metra inertesh, duke e bërë të pamundur kalimin në këtë aks. Qindra krerë bagëtie janë mbytur, ndërsa dëme ka edhe në banesa. Sipas banorëve, dëme të tilla nga përmbytjet kanë ndodhur vetëm 50 vite më parë.

Qindra ton inerte u përhapën në rrugët e qytetit të Pogradecit, ndërsa vërshimi i ujërave shkatërroi një banesë në fshatin Vërdovë, në të cilën pak muaj më parë humbi jetën edhe një 38-vjeçare, nënë e 3 fëmijëve, që u përpi nga ujërat.

Shirat e rrëmbyeshëm të rënë gjatë 24 orëve të fundit në verilindje të vendit kanë sjellë probleme në Rrugën e Kombit dhe rrugët nacionale e ato rurale. Në disa segmente të rrugës Kalimash-Kukës-Morinë ka pasur rënie gurësh dhe dherash, të cilat janë larguar më pas. Rrëshqitjet e dherave e gurëve kanë qenë të pranishme edhe në rrugët Kukës-Shishtavec e Kukës-Peshkopi.

Dëme të mëdha nga përmbytjet janë shkaktuar edhe në Qarkun e Beratit. Në Skrapar janë dëmtuar rrugë dhe shumë banesa janë nën ujë.

Ndërsa është dëmtuar rëndë një urë guri, monument kulture në zonë, por që vazhdon e përdoret për kalimin e njerëzve.

Në zonën e Lezhës kanë punuar më së miri hidrovoret, duke bërë që përmbytja të prekë sipërfaqe më të vogla toke. Problem ka pasur në rrugët e qytetit, por ujërat janë larguar shpejt, pas pushimit të reshjeve.

Top Channel