Përmbytet Vlora. Një viktimë në Radhimë

11/10/2015 10:00

Vlora është zgjuar sërish nën ujë mëngjesin e sotëm. Reshjet e dendura të shiut, të cilat kanë nisur pasditen e së shtunës me një intensitet të lartë, brenda pak orëve e mbushën qytetin me ujë.

Pothuajse i gjithë qyteti ka qenë pa energji elektrike. Shumë banesa, biznese dhe automjete, nga vërshimet e ujit, janë mbuluar. Si pasojë e reshjeve të dendura është bllokuar aksi Radhimë-Orikum, ku kanë rënë masivë të mëdha gurësh në tre vende të ndryshme dhe është bllokuar qarkullimi i automjeteve në të dyja akset.

Gjithashtu, nga reshjet e dendura dhe stuhitë e erërave të forta është shënuar edhe viktima e parë në zonën e Radhimës, ku bëhet fjalë për 50-vjeçarin Luan Qarri, i cili punonte roje në një subjekt privat. Trupi është identifikuar mëngjesin e sotëm, ku Delta Force, në bashkëpunim me Policinë e Vlorës kanë nxjerrë trupin nga deti dhe po kryejnë ekspertizën mjeko-ligjore.

Ndërkohë, mbrëmjen e së shtunës, në Qarkun e Vlorës janë mbledhur të gjithë drejtuesit e institucioneve për të diskutuar rreth situatës kaotike që ka përfshirë jugun e Shqipërisë dhe sidomos qytetin e Vlorës.

Kryebashkiu i Vlorës tha se është shpallur gjendja e jashtëzakonshme dhe situata është goxha e rënduar. Po ashtu, situatë e rënduar është edhe në qytetin e Selenicës, ku bizneset dhe rrugët janë të bllokuara si pasojë e reshjeve të dendura që kanë rënë në gjithë Qarkun e Vlorës.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel