Reshjet e dendura të shiut përgjatë 24 orëve të fundit kanë rikthyer “pushtetin” e ujit në Fier, madje situata paraqitet edhe më e keqe se në përmbytjet e shkurtit të këtij viti. Lumi Gjanica ka dalë nga shtrati, duke shkaktuar dëme të mëdha në disa zona përreth si dhe në disa lagje të qytetit.

Shtrati i lumit nisi të dalë në orët e para të mëngjesit të së dielës dhe vazhdon të përparojë. Ndryshe nga herët e tjera, Gjanica ka arritur në nivele rekord, duke mbërritur pranë bulevardit kryesor dhe nëse reshjet vazhdojnë, rrezikon të përmbytet i gjithë qyteti.

Qindra biznese janë përmbytur, ndërkohë që uji ka pushtuar me dhjetra të tjerë. Një familje në lagjen “Konferenca e Pezës” ka pritur për orë të tëra të evakuohet për të dërguar fëmijën e sëmurë në spital.

Mijëra hektarë tokë në Levan, Mbrostar dhe Libofshë janë nën ujë, duke shkaktuar dëme të mëdha në bujqësi dhe blegtori. Sasia e madhe e reshjeve nuk është përballuar nga kanalet kullues, të cilët në pjesën më të madhe janë bllokuar nga objekte pa leje dhe mbetje urbane.

Top Channel