Dita e shëndetit mendor, aktiviteti “ Eja të kesh një shok për kokë përkrah teje”

10/10/2015 15:10

10 tetori është dita e shëndetit mendor. Nën moton “Eja të kesh një shok për kokë përkrah teje”, zonja e parë, Odeta Nishani, shoqëruar dhe nga zëvendësministrja e MMSR znj. Kospiri morën pjesë në aktivitetin ndërgjegjësues të atyre që vuajnë nga sindroma down, me ecjen në këmbë përgjatë bulevardit “Zogu 1” ku fëmijë që gëzojnë shëndet të plotë shoqëruan një bashkëmoshatar me sindromën down.

Znj. Nishani kërkoi më tepër përgjegjshmëri në lidhje me këta fëmijë në mënyrë që të kontribuojmë sa të mundemi për t’i trajtuar si të jenë normale dhe njoftoi se mbrëmja gala e fundvitit do i kushtohet atyre.

“Së bashku me institucionin e presidentit të Republikës kemi vendosur që këtë vit mbrëmja gala t’i kushtohet këtyre fëmijëve në mënyrë që të ndihmojmë sa më shumë në përmirësimin e jetesës së tyre”, tha znj. Nishani.

Ndërsa znj. Kospiri kërkoi të bëhet më tepër për të gjithë fëmijët me aftësi të kufizuara duke e vënë përgjegjësinë tek shteti dhe vlerësoi punën heroike të familjarëve që i mundësojnë kësaj shtrese një jetë normale.

“Të gjithë fëmijëve me aftësi të kufizuara duhet t’u ofrohen mundësi të barabarta pasi kanë të drejtën si gjithë fëmijët e tjerë të lindin e të rriten të shëndetshëm”, tha Bardhylka Kospiri, zv. Ministre e MMSR-së.

Gjatë dites së sotme janë parashikuar një sërë aktivitetesh që kanë në qendër të vëmendjes këta fëmijë.

Top Channel