Obot, flasin fqinjët e Ruzhdi Arishtës: Djalin e qëlloi tek dera e shtëpisë pa asnjë debat

06/10/2015 13:05

Dy ditë pas ngjarjes së rëndë në fshatin Obot të Shkodrës, ku shtetasi Ruzhdi Arishta, tashmë i vrarë nga policia, qëlloi për vdekje komandantin e FNSH-së Simon Gjeta dhe plagosi komshiun e tij Besmir Sherbela, të tjera detaje kanë dalë në dritë në lidhje me shkaqet e kësaj ngjarjeje, të cilat e bëjnë akoma më absurd këtë krim të dyfisht të Aishtës.

Fatmira Sherbela, nëna e të plagosurit Besmir Sherbela, duke folur për Top Channel pohon se nuk kishin asnjë konflikt pronësie me Ruzhdi Arishtën dhe për më tepër që dy shtëpitë i ndan rruga e fshatit.

Sipas Fatmira Sherbelës, Ruzhdi Arishta kishte disa pretendime aspak normale, duke akuzuar Besmirin se kishte hedhur helm rreth e rrotull shtëpisë dhe se kishte hyrë në shtëpinë e tijë e i kishte vjedhur specat në frigorifer.

“Djalin ynë shihte punën e vetë, kur një ditë ai i thotë burrit ‘djali juaj më ka hedhur helm në shtëpi’. Jo, i tha burri. Por ai insistoi duke thënë ‘kam pushkë, do të ta vrasë djalin’. Pastaj erdhi tha se djali i kishte vjedhur specat. Po ç’nevojë ka djali im të vjedhë specat e tu, i tha sërish burri”, rrëfen Fatmira Sherbela.

Më tej Fatmira tregon se Ruzhdi Arishta kohët e fundit nuk dilte nga banesa dhe kishte filluar të thurte me tela dritaret e hekurit. Madje, ajo u thoshte fëmijëve që të shkonin ta shihnin nëse kishte nevojë për ndihmë.

Duke folur për momentin kur Ruzhdi Arishta i qëlloi djalin, Fatmira tregon se atë ditë kishin një gosti dhe djali sapo doli te dera për të blerë disa pije u qëllua me automatik pa bërë asnjë debat.

“Ai doli, vetëm kur kam dëgjuar pushkën. Kur kam dalë dhe kam parë djalin të shtrirë në tokë, thash o Zot”, vijon Fatmira Sherbela.

Ndërkohë, paranojat e një njeriu problematik për komunitetin dhe me çregullime mendore kanë lënë pas një punonjës policie të vrarë dhe një 21-vjeçar të plagosur. Në këtë fshat, ku ende nuk ka ikur aroma e barutit, qetësia e ankthit duket se ende vazhdon.

Top Channel