Byroja Kombëtare e Hetimit, Tahiri takim me ambasadorin Lu

06/10/2015 00:00

Për më shumë se 90 minuta, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka pritur në një takim në zyrën e tij, ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu.

Edhe në këtë takim kokë më kokë, mësohet se një ndër pikat kryesore që është diskutuar është ajo e ngritjes së Byrosë Kombëtare të Hetimit, për të cilën qeveria shqiptare është duke hedhur hapat e fundit për ngritjen e saj.

Por ndërkaq, po për këtë çështje, një ekspert i FBI-së prej disa kohësh gjendet në Tiranë. Burime bëjnë të ditur se Ambasada Amerikane ka treguar vendosmërinë për ta çuar para projektin e mazhorancës, që u bllokua me një vendim të Gjykatës Kushtetuese në pranverën e këtij viti.

Veç ambasadorit Lu dhe ministrit Tahiri, të pranishëm në takim ishin dhe ekspertë amerikanë, si edhe Drejtori për Krimin e Organizuar në Policinë e Shtetit, Ardian Çipa.

Por ajo çka mësohet nga burime pranë palëve, është fakti se drafti për Byronë, që do të hetojë  korrupsionin është drejt finalizimit.

Top Channel