“Letra e Brahos”, merret në pyetje bashkëshortja e Ismailajt

30/09/2015 00:00

Bashkëshortja e ish-kontraktorit të CEZ Kastriot Ismailaj ka qenë këtë të mërkurë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku është marrë në pyetje lidhur me hetimet e nisura nga prokuroria pas letrës së kryetarit të komisionit parlamentar të sigurisë kombëtare, Spartak Braho, për një komplot në dëm të kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta.

Shtetasja Vojsava Ismailaj ka qëndruar në ambjentet e selisë qendrore të policisë për rreth një orë dhe është larguar prej andej në heshtje. Por burime konfidenciale bëjnë të ditur se ajo është pyetur për llogari të verifikimeve të nisura nga task forca e Prokurorisë së Tiranës.

Nga burimet mësohet se ajo ka thënë se, nuk është kërcënuar kurrë nga deputeti Tom Doshi dhe se nuk e njeh ish-ministrin Dritan Prifti. Ajo ka deklaruar gjithashtu se Doshin e kishte mik të familjes dhe se ka pasur kërcënime sporadike nga persona të panjohur në rrugë.

Procesi i marrjes në pyetje në cilësinë e personit në dijeni të fakteve është ndjekur nga avokati i zonjës Ismailaj, Vladimir Meçe. Megjithatë, saktësojnë burimet, ai ishte atje me kërkesë të policisë gjyqësore dhe jo pse duhej të përfaqësonte bashkëshorten e ish-kontraktorit.

Hetimet e oficerëve të policisë gjyqësore koordinohen nga prokurorja Antoneta Cezari. 

Top Channel