“Letra e Brahos”, Doshi akuza Metës: Kumbari i Shqipërisë. Llalla, “lodra” e tij

30/09/2015 21:05

Deputeti Tom Doshi ka lënë rreth orës 20:45 të së premtes Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku është marrë në pyetje në kuadër të hetimeve të nisura nga Prokuroria e Tiranës, për një komplot të denoncuar nga Spartak Braho në dëm të Ilir Metës.

“Që sot e mbrapa duhet t’i marr leje Spartak Brahos dhe Ilir Metës se me kë duhet të pij kafe”, ka thënë Doshi në prononcimin për mediat, duke dhënë edhe detaje mbi seancën e marrjes në pyetje.

“Më pyetën rreth takimit tim me gruan e Kastriot Ismailajt dhe unë iu shpjegova që ajo më mori në telefon, pimë kafe dhe kaq. Nuk e kam mohuar se e kam takuar Savën. E kam takuar dhe nëse ajo më kërkon edhe nesër, prap do ta takoj. Jam i lirë të takoj çdo njeri që më merr në telefon për halle apo kafe”, ka sqaruar Doshi.

Me ironi, deputeti i Kuvendit të Shqipërisë ka vlerësuar prokurorin e përgjithshëm që urdhëroi hapjen e një hetimi pas letrës së kryetarit të komisionit të sigurisë kombëtare.

“Unë e vlerësoj shumë për prokurorin e përgjithshëm që nisi kaq shpejt hetimet për një letër falso të Spartak Brahos, ndërkohë që para një viti kur unë denoncova atentatin ndaj meje ai nuk mori asnjë masë e nuk nisi asnjë hetim”, ka thënë Doshi.

Duke i bërë thirrje prokurorit të përgjithshëm që ta hetojë çështjen deri në fund, Doshi ka paralajmëruar reagime ligjore nëse në fund rezulton se ai nuk ka lidhje me këtë skenar.

“Të gjithë ata që krijuan këtë skenar të dalin para përgjegjësisë, por nëse ai s’e heton, atëherë unë do jem i detyruar të bëj kallëzim penal ndaj Spartak Brahos”, ka pohuar Doshi.

Motivin e thirrjes së tij në polici, ai e ka argumentuar kështu: “Këta janë të implikuar në shumë çështje dhe për çdo gjë iu duket sikur hija ime u del përpara”.

Ndërkohë, krahas mesazheve për kryeprokurorin, deputeti Doshi ka pasur edhe një tjetër drejtuar atij që e ka quajtur “kumbari i Shqipërisë”.

“Megjithëse godfather-i deklaroi dje se është prej malësisë së Skraparit, unë i bëj thirrje të mos tregohet aq trim karshi njerëzve dhe të shkojë e të japë llogari tek prokurori i përgjithshëm. S’ka nevojë për hetim ndërkombëtar. Të hetohet edhe CEZ-i edhe në lidhje me rastin tim, për të cilin nuk heq dorë dhe shpresoj se do të zbardhet”, ka thënë Doshi.

“Prokurorit të përgjithshëm i them gjithashtu të mos raportojë tek godfather-i çdo fundjavë. E kemi votuar në Parlament dhe është turp kur presidenti i Republikës thotë sot se nuk ka besim tek prokurori i përgjithshëm”, ka thënë Doshi, i cili nuk e ka pasur problem të sqarojë në detaj se kujt i referohet kur thotë “godfather”.

“Personi që konsiderohet dëshmitar i mbrojtur thotë në dëshminë e vetë se Ilir Metës, Kastrioti ia kishte vënë emrin godfather-i i Shqipërisë. Dhe faktikisht Meta po luan rolin e padrinos. Ai kryeprokurorin po e përdor sikur është punonjës i Parlamentit. Pra, të shkojë prokurori i përgjithshëm të raportojë tek Meta çdo fundjavë tek Gjiri i Lalzit…”.

Qëllimi i skenarit, sipas Doshit, është që të binden shqiptarët se Ilir Meta është i pafajshëm, kur sipas tij është krejt e kundërta.

“Dhe emri im i shqetëson sepse unë jam i vendosur, i shkoj të vërtetës deri në fund. Në këtë rast unë nuk kam lidhje, por ata janë të implikuar dhe ata shqetësohen se mos gruaja e Kastriotit (Ismailaj) kërkon mbështetje nga unë. Por kjo nuk është e vërtetë dhe unë vetëm dje e kam marrë vesh që Vladimir Meçe është avokat i Kastriotit. Ndërkohë, kisha 10 vjet që s’e kisha takuar zonjën Ismailaj. As numrat e telefonit nuk i kishim. S’ka asnjë skenar të planifikuar mes meje dhe asaj”, ka përfunduar Doshi. 

Top Channel