Shehaj: Ndryshimet proceduriale, efekte pozitive

25/09/2015 00:00

Ndryshimet në procedurën penale ashpërsojnë ndëshkimet për biznesin që kryen evazion fiskal nga gjobë deri edhe në ndjekje penale, si dhe synojnë të shmangin konfliktin e interesit në radhët e inspektorëve tatimorë.

Drejtorja e Përgjithshme e Tatimeve, Briseida Shehaj doli në një deklaratë për mediat mesditën e së premtes për të komentuar këto ndryshime, të votuara në Kuvend në seancën plenare të ditës së mërkurë.

“Për çdo shkelës, përveç gjobës dhe sekuestrimit të mallit, inspektorët mund të kallëzojnë penalisht për evazion fiskal çdo biznes. Nga ana tjetër, çdo punonjës i tatimeve i ndalohet që të ketë në pronësi të tij apo të afërmve zyrë konsulence financiare apo kontabiliteti. Nëse shkelet, merret masa e shkarkimit menjëherë nga detyra”, tha Shehaj.

Shefja e tatimeve u ndal më pas tek të dhënat e operacionit kundër informalitetit dhe evazionit të siguruara deri më 23 shtator. Ajo tha se janë kryer 47 mijë kontrolle dhe ka një rritje me 35 përqind të deklarimit të të ardhurave nga biznesi në krahasim me shtatorin e vitit të kaluar, e përkthyer në shifra, 4 miliardë lekë më shumë.

Top Channel