Reforma në drejtësi, Omari: Të rishihet zgjedhja e Presidentit

25/09/2015 14:55

Konstitucionalisti Luan Omari kërkon që reforma në drejtësi të rishohë mënyrën sesi zgjidhet presidenti i vendit. Ndryshimet kushtetuese të 2008 që mundësuan zgjedhjen e presidentit me shumicë të thjeshtë, deklaroi ai, vërtetuan se ai humbi misionin e përfaqësimit të unitetit kombëtar, sikundër ka shkaktuar debatin e shpeshtë për kompetencat e kreut të shtetit në raport me institucionet e tjera.

“Për t’i hapur rrugë rrugëzgjidhjes së Presidentit të ri, që të gëzonte besimin e të gjithë forcave politike në Parlament, do të ishte e udhës të rivendoseshin zgjedhje të lira me shumicë të cilësuar, duke kushtëzuar mosrealizimin e saj me shpërndarjen e Kuvendit. Mund të shqyrtohej dhe mundësia e zgjedhjes nga një asamble e posaçme, e përbërë jo nga deputetë po nga të deleguar të këshillave të qarqeve”, tha konstitucionalisti Luan Omari.

Në aktivitetin e Akademisë së Shkencave në kuadër të diskutimit të reformës në drejtësi, Njazi Jaho propozoi që prokuroria të mbetet një organ i pavarur, por këshilli i prokurorëve tha ai duhet të kthehet në një organ kushtetues.

“Një lartësim i këtij këshilli mendoj se do t’i shërbente edhe reduktimit apo zbutjes, centralizmit të tepruar që ekziston sot në organet e prokurorisë, sidomos tek Prokurori i Përgjithshëm”, u shpreh Njazi Jaho

Spartak Ngjela gjithashtu nuk bie dakort me një pushtet të madh që i është lënë prokurorisë.

“Është akoma prokurori leniniste, e centralizuar. Sipas principit tim ajo duhet të decentralizohet sipas qarqeve. Prokurori i qarkut është Prokuror i Përgjithshëm i qarkut. Nuk ka prokuror të përgjithshëm”, u shpreh avokati Ngjela.

Por sistemin në krizë Spartak Ngjela beson se e kanë futur gjykatat, kur propozoi shqyrtimin e çështjeve jo më nga një gjyqtar i vetëm, por nga juri gjyqtarësh.

“Vlorë, një gjyqtare me dhunë, gjykon 24 milionë euro, dhe natyrisht ia hedh palës që do ajo. 27 vjeçe. Si ka mundësi që të ndodhi kjo? Nuk ka gjyqtar në Angli nën 50 vjeç. Gjykata jonë është rinore, shumica janë akoma me instikte seksuale të pashuara, e do të japin drejtësi. Gjykata është më e fortë se ligji, kjo është Kushtetuta jonë, po gjyqtarët nuk e dinë. Të dinë dhe këtë do të na kishin marrë dhe tenxheret nga shtëpia”, u shpreh Ngjela.

Top Channel