Kosovë, takim për luftën kundër korrupsionit

25/09/2015 16:00

Autoritetet më të larta shtetërore në Kosovë shprehin gatishmërinë për t’i mbrojtur në mënyrë institucionale sinjalizuesit apo personat që denoncojnë nga brenda institucioneve publike apo kompanive private korrupsionin.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha se sinjalizuesit duhet të inkurajohen ta bëjnë këtë, ndërsa kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli theksoi se denoncuesit janë heronjtë e vërtetë të Kosovës. Një qëndrim i tillë vjen pak kohë pasi gjykata e Prizrenit dënoi një qytetar pasi shfrytëzoi të dhënat e brendshme të bankës ku punonte për të denoncuar korrupsionin e zyrtarëve komunalë.

“Sinjalizuesit e veprave penale të korrupsionit duhet të inkurajohen duke u mbrojtur institucionalisht, në mënyrë që të vazhdojnë raportimin tek institucionet dhe tek mediat.  është obligim institucional që raportimet e këtyre dukurive të shëmtuara dhe shumë dëmtuese për buxhetin e shtetit, të trajtohen me urgjencë nga organet e ndjekjes, vonesa në trajtimin e kallëzimeve nga sinjalizuesit është vonim i drejtësisë dhe njëherit dekurajim i angazhimit qytetar në këtë luftë”, tha presidentja Jahjaga.

“Sot ne duhet që luftën kundër korrupsionit ta kuptojmë si akt patriotik, sot shteti i kosovës ka nevojë për këtë lloj patriotizmi, ka nevojë për këta heronjë, heronjë që e denoncojnë korrupsionin, heronjë që e hetojnë korrupsionin, prokurorë me guxim dhe gjyqtarë që mund ta dërgojnë deri në fund cështjen pavarësisht kush është i përfshirë”, deklaroi kreu i Kuvendit, Kadri Veseli.

Në këtë linjë është edhe ambasadori amerikan në Prishtinë ndërsa për kryeministrin Mustafa, Kosova ende nuk ka ndërtuar kritere morale e ligjore për luftimin e korrupsionit.

“Sinjalizuesit duhet të mbrohen, një sistem transparent për çështjet si prokurimi publik duhet të zhvillohet, duhet të bëhet një ndryshim i kulturës, ku të gjithë qytetarët refuzojnë ta pranojnë korrupsionin dhe angazhohen për t’u bërë pjesë e zgjidhjes”, tha ambasadori i SHBA.

“Qeveria me programin qeverisës është e vendosur që të luftojë korrupsionin dhe do të krijojë kushte normale të konkurrencës. Ne nuk mund të flasim për zhvillim ekonomik nëse kemi korrupsion sepse pastaj firmat nuk janë të barabarta në treg. Po ashtu  mendoj se nuk mund ta luftojmë korrupsionin, duke kërkuar kokë turku, ose peshq të mëdhenj, ashtu siç kemi vepruar deri më tani, sepse konsideroj se peshk i madh është çdo njeri i cili është i korruptuar”, tha Mustafa.

Krahas shumë sfidave me të cilat ballafaqohet Kosova në luftimin e korrupsionit, ligjet në disa raste janë vetë problemi dhe burim i korrupsionit, siç është rasti me ligjin e prokurimit publik. Këtë e konstatoi zëvendëskryeprokurorja e Shtetit, Sevdije Morina e cila në këtë takim kërkoi nga Qeveria dhe Kuvendi të bashkëpunojë më ngushtë me prokuroritë për ndryshimin e nevojshëm në legjislacion.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA