Qytetari i mëson Kodin Rrugor efektivit të policisë, Tahiri: Denonconi abuzimet

23/09/2015 17:05

Në rrjetet sociale ka nisur të qarkullojë me shpejtësi një video-regjistrim, ku shfaqen një qytetar dhe një efektiv i Policisë Rrugore që debatojnë për Kodin Rrugor.

Efektivi i Policisë ka ndaluar qytetarin dhe kërkon ta gjobisë për tejkalim shpejtësie. I gjithë debati është regjistruar nga një kamera amatore nga ana e qytetarit, i cili i kërkon efektivit të policisë mbi ç’bazë po e gjobit.

Polici rrugor i kujton nenin 140 pika 2 të Kodit për tejkalim shpejtësie, ndërkohë që nuk kishte asnjë matës shpejtësie të përcaktuar nga neni 140, pika 6 e Kodit. I zënë mat nga qytetari që i përmend këtë pikë të nenit 140, efektivi i Policisë Rrugore thotë se si matës përdori “sytë e tij”.

Kjo video dhe denoncimi i qytetarit është përshëndetur edhe nga vetë ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Tahiri falenderon qytetarin dhe nxit çdo qytetar tjetër që të denoncojnë abuzimet e efektivëve të policisë.

“Kjo është forca jonë! Të bëhemi bashkë me qytetarët për të mos pranuar modelin e abuzimit. Sa më shumë denoncime të tilla, aq më e lehtë për të shmangur abuzimin. Ndaj po reformojmë Policinë, ndaj kemi ngritur Akademinë e Sigurisë si institucion i arsimit të lartë, ndaj po investojmë për kamerat e trupit për çdo punonjës policie, por mbi të gjitha, ndaj kërkojmë kontributin e çdo qytetari”, shkruan ministri i Brendshëm.

Top Channel