Shkrimtarja Mira Meksi kandidohet për çmimin “Ballkanika”

22/09/2015 00:00

“Mallkimi i Priftëreshave të Ilirisë”, romani i shkruar nga Mira Meksi, është libri i përzgjedhur nga juria shqiptare për të garuar në çmimet letrare “Ballkanika”.

Lajmi u bë publik nga juria e këtij eventi për vendin tonë, e cila shpjegoi edhe arsyet e përzgjedhjes së këtij botimi mes morisë së librave shqip.

Për kryetarin e saj dhe akadamikun, Jorgo Bulo, romani i Mira Meksit është një rrëfim midis historisë dhe legjendës në një sfond jo vetëm gjeografik, por edhe kulturor; një vepër me përmasa mesdhetare ballkanike, që e bën konkurrente në një ballafaqim veprash që pretendojnë çmimin “Ballkanika”.

“Duke u nisur nga vlerat e veprës, nga stili i veçantë, nga krijimtaria gjuhësore e pasur e mbresëlënëse e autores, por edhe nga fakti që plotëson kushtet kufizuese që vë ky konkurs, juria vendosi ta propozojë për çmimin “Ballkanika”, shprehet akademiku Jorgo Bulo.

Botuesja e këtij romani, Irena Toci, tha se Mira Meksi konkurron me emra të njohur në fushën e letrave ballkanase.

“Nga Bullgaria këtë vit vjen shkrimtarja Svetla Georgieva, nga Greqia Christos Chrissopoulos, nga Rumania Stefan Agopian, nga Maqedonia Dimitrie Duracovski, nga Turqia Yigit Bener dhe nga Serbia Filip Devan. Të gjithë këta shkrimtarë janë njëri më i mirë se tjetri. Veprat e tyre janëmjaft konkurruese me aq sa kemi parë së bashku me anëtaren e jurisë ndërkombëtare, zonjën Djana. Kjo do të jetë një garë e vështirë”, u shpreh Irena Toci.

I quajtur ndryshe si “Nobeli Ballkanik”, ky çmim është shumë i rëndësishëm, pasi promovon emrat e autorëve ballkanas, duke shërbyer si një trampolinë për arritjet e tyre letrare në letërsinë botërore.

Top Channel