PD, Paloka: Tahiri ka ndërvepruar me Habilajt për trafikun e drogës

20/09/2015 12:25

Edi Paloka, nënkryetar i Partisë Demokratike, ka vijuar denoncimet e asaj që opozita pretendon se ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka lidhje me trafikantë droge.

“AA 003 GB ështe bërë simboli i qeverisë. Ministri i Brendshëm, jo thjesht u ka dhënë makinën dhe imunitetin njerëzve të tij, bandës së Habilajve, por ka dashur t’u thotë policëve, hetuesve dhe agjencive të zbatimit të ligjit, se atje është ai, ajo është linja e tij e drogës dhe ata duhet të qëndrojnë larg. Ja ku e keni dhe një herë sistemin TIMS, që tregon se Habilajt kanë bërë disa rrugë me makinën e ministrit. Dhe më saktë, Tahiri i Ramës ka bërë disa rrugë, disa ngarkesa përmes Habilajve. Kur, më në fund, Saimiri e pranoi se nuk kishte nga t’ia mbante, shqiptarët e panë vetë provën e gjallë, ai pranoi edhe një tjetër krim. Që ka shkelur ligjin, duke mos deklaruar shitjen e makinës. Krim, për të cilin qindra e mijëra tregtarë të vegjël, që ushqejnë familjen me biznesin modest, po marrin gjoba, po mbyllin dyqanet, po provojnë kërbaçin e qeverisë dhe po shkojnë edhe në burg”, tha kreu i grupit parlamentar demokrat Paloka.

Ndërsa ministri Tahiri, duke përdorur ironinë nëpërmjet një postimi në Facebook, tha se PD-ja, me të tilla deklarata nuk bën gjë tjetër veçse u bën jehonë sukseseve të Policisë së Shtetit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA