Avokati i Popullit Igli Totozani është takuar me banorë të Pukës dhe Fushë Arrëzit ku ka dëgjuar ankesat dhe shqetësimet e shumë banorëve. Ai tha se do të hartojë një raport të posaçëm me këto probleme të cilin do e dërgojë në Kuvend.
Mungesa e punësimit, shkolla pa sistem ngrohje, zona të thella pa qendra shëndetësore, familje të varfra që nuk kanë mundësi financiare të paguajnë energjinë elektrike, furnizim me orare të reduktuara me ujë të pijshëm, ishin ndër problemet kryesore të këtij komuniteti.
Avokati i Popullit u takua edhe me kryetarin e Bashkisë së Fushë-Arrëzit, Fran Tuci, dhe Kryetarin e Bashkisë së Pukës, Gjon Gjonaj, me të cilët bisedoi për shqetësimet e banorëve, që të gjenden zgjidhje sa më të shpejta përmes angazhimit maksimal të strukturave vendore në bashkëpunim me ato qendrore.
“Nuk duhet t’i braktisim qytetarët e zonave të thella dhe t’i lëmë të jetojnë pa kushtet dhe standardet minimale të jetesës, të drejta këto që ja garanton ligji”, tha Totozani.
Z. Totozani deklaroi se institucioni i Avokatit të Popullit do të hartojë një raport të posaçëm për të gjitha ankesat e regjistruara nga qytetarët e këtyre dy bashkive, në adresë të Kuvendit të Shqipërisë. Ky raport, tha Totozani, ka për qëllim sensibilizimin e politikës dhe mbarë opinionit publik për hallet reale të banorëve të këtyre zonave, si dhe insistimin për ndërhyrje sa më të shpejtë të strukturave qeveritare.
Top Channel