Kuvendi miraton aktin normativ për ndryshimet në buxhet

10/09/2015 21:45

Kuvendi i Shqipërisë miratoi aktin normativ për ndryshimet në buxhet me 74 vota pro dhe 23 vota kundër.

Mazhoranca dhe opozita debatuan me orë të tëra për aktin normativ të qeverisë për rishikimin me ulje të buxhetit. Opozita akuzoi qeverinë për mosrealizimin e mbledhjes së të ardhurave që sipas saj kanë si shkaqe parësore kontrabandën dhe evazionin fiskal në dogana dhe tatime. 

“Akti normativ shpall falimentimin e financave të shtetit”. Me këtë bindje opozita mbajti një debat disa orësh në Kuvend për aktin normativ të qeverisë që korrigjon me ulje shifrat e buxhetit të këtij viti. Për demokratët, mosrealizimi i të ardhurave nga qeveria Rama ka si shpjegim vetëm kontrabandën dhe evazionin në tatime dhe dogana.

Deputeti demokrat Sherefedin Shehu tha: “Ndryshimet e sotme konfirmojnë rritjen e kontrabandës dhe papunësisë si dhe rënien e konsumit për të favorizuar kontrabandistët. Arka e Shtetit boshatiset dhe paratë e shqiptarëve fluturojnë jashtë Shqipërisë sepse krimi, trafiku dhe kontrabanda kontrollojnë shtetin. Akti i sotëm ju nxjerr bojën të gjithëve, pasi pranon boshatisjen e arkës dhe ligjëron uljen e buxhetit me 400 milionë dollarë. Ai i pakëson të ardhurat tatimore me rreth 230 milionë dollarë”.

Ndërkohë, ministri i Financave, Shkëlqim Cani deklaroi: “Ky akt normativ nuk i prek funksionet kryesore të institucioneve buxhetore dhe në veçanti investimet publike, qofshin ato në nivel kombëtar apo lokal”.

Duke dhënë këtë garanci dhe atë se qeveria nuk ka rritur borxhin publik, numri një i financave shqiptare dha si argument kryesor të uljes së të ardhurave rritjen e prodhimit vendas: “Doemos, kur ulen importet doganat nuk mund të realizojnë të ardhurat e tyre”.

Zhvillimet ekonomike në vendet fqinje, veçanërisht te ato që nuk kapën parashikimet e fillimvitit dhe prirjet e ulta inflacioniste ishin argumentat e tjerë të dhënë nga ministri i Financave, se përse qeveria u detyrua të rishohë buxhetin. Duke garantuar se lekët që mungojnë në Arkën e Shtetit i kanë shkuar xhepave të qytetarëve, Shkëlqim Cani kundërshtoi opozitën edhe në një pikë.

“Nuk do të ketë rritje të taksave”, tha ministri.

Në vijim të këtij argumenti, Cani shtoi se qeveria po risheh mundesine e uljes se taksave.

Top Channel