Jahjaga: Shqipëria, partneri më strategjik në rajon

10/09/2015 16:00

Ashtu siç ishte parashikuar më herët në axhendën e vizitës së saj të parë zyrtare në vendin tonë, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka mbajtur edhe një fjalë përshëndetëse në Kuvendin e Shqipërisë, pasi takoi krerët më të lartë të vendit, duke nisur nga homologu i saj Bujar Nishani, kreu i Kuvendit Ilir Meta, si dhe kreun e qeverisë Edi Rama.

Duke e mirëpritur në Kuvend, kreu i legjislativit shqiptar Meta është shprehur se Presidentja Jahjaga ka punuar vazhdimisht për përmirësimin e imazhit të vendit të saj, ndërkohë që marrëdhëniet mes dy vendeve tona do të mbeten gjithnjë vëllazërore.

Jahjaga, në fjalën e saj para deputetëve shqiptarë, për të cilët solli edhe falenderimet e qytetarëve të Kosovës, ashtu sikurse dhe për qytetarët shqiptarë, është shprehur ndër të tjera se “Me Shqipërinë kemi një histori të përbashkët vuajtjesh, e megjithatë, pa Shqipërinë, Kosova nuk do të ishte vendi që është sot”.

Duke theksuar kontributin e dhënë nga Shqipëria dhe mbështetjen e pakursyer të saj për Kosovën, Jahjaga deklaroi se “ne, kosovarët, nuk mbetëm robër të historisë, por mbërritëm deri në ditët e sotme kur po ecim përpara me hapa të shpejtë dhe të sigurtë drejt Bashkimit Europian. Si kurrë më parë në historinë e Ballkanit, të gjithë ne jemi rreshtuar bashkë në përqafim të vlerave më të mira. Paqja në rajon do të sigurojë qëndrueshmëri për qytetarët e vendeve tona. Ndaj dhe sot na mbetet të bëjmë thirrje për një thellim të bashkëpunimit në fushën ekonomike”.

Me të kaluar në aspektin ekonomik të bashkëpunimit dypalësh, Jahjaga tha se “Kosova nuk ka partner më strategjik në rajon sesa Shqipëria, e cila i ka dhënë një shembull dhe vazhdon t’i japë botës, për harmoninë ndërfetare”.

Top Channel