Korçë, mbyllen bizneset në tregun e minoritetit maqedonas

07/09/2015 10:15

47 grupe kanë nisur aksionin intensiv të kontrollit të bizneseve në qarkun e Korçës për të verifikuar zbatimin e ligjit dhe për të ndaluar abuzimet e biznesit.

Aksioni i tatimorëve ka sjellë kundërshtinë e dhjetra bizneseve në qytetin e Korçës, të cilët kanë protestuar lidhur me mungesën e faturave të origjinës për mallrat e tyre. Dhjetra dyqane në tregun e minoritetit maqedonas kanë ulur qepenat dhe i janë drejtuar Drejtorisë së Tatimeve për të gjetur një zgjidhje pasi rrezikojnë sekuestrimin e mallit të tyre.

Sipas tyre, shkak për këtë problem është mungesa e faturës së origjinës, e cila nuk mundësohet nga grosistët. Ndryshimi i njësisë së shitjes dhe blerjes sipas tyre është shkaku kryesor që i le ata të papajisur me fatura, pasi grosistët blenë veshjet me tonelata dhe i tregtojnë tek ta me copë, gjë e cila nuk mund të pasqyrohet me faturë.

Pavarësisht shqetësimit të ngritur nga Drejtoria e Tatimeve, është bërë e ditur se në asnjë rast nuk do të ketë përjashtime dhe mungesa e faturës së origjinës do të shoqërohet me sekuestrimin e mallit.

Të paktën 70 biznese të këtij tregu, por edhe dhjetra të tjerë të blerjes me shumicë dhe shitjes me pakicë, për mallra të ndryshëm përballen me këtë problem, çka sipas tyre nuk parashikohet në ligj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA