Azilantët, Totozani: Shumica prej atyre që kthehen, kanë shitur shtëpitë dhe pronat

06/09/2015 19:55

Avokati i Popullit i kërkon qeverisë shqiptare të marrë masat për të pritur azilkërkuesit shqiptarë që po kthehen nga Gjermania, duke i krijuar lehtësirat e duhura, pasi sipas tij, dikush mund të ketë shitur shtëpitë apo të ketë humbur vendin e punës.

“Shqipëria duhet të kishte me kohë një strategji dhe një plan masash konkrete për kthimin e tyre sepse kanë lënë pasuritë, shtëpitë, ndoshta dikush edhe i ka shitur etj. Ky plan masash duhet të jetë i mirëpërcaktuar, pasi kemi të bëjmë me një çështje sociale mjaft emergjente përsa i përket riintegrimit të këtyre njerëzve që do të thotë punësim, ndihmë ekonomike, krijim i lehtësirave për banesa sociale dhe të gjithë atë gamë shërbimesh ose subvencionesh që shteti shqiptar i jep për qytetarët e vetë. Bëhet fjalë për një numër të madh, kështu që nuk duhet të jemi të papërgatitur në këtë drejtim”, deklaroi Totozani.
 
Avokati i Popullit do të ketë një grup pune në Aeroportin e Rinasit për të kontaktuar me çdo azilant që kthehet.

Lidhur me azilkërkuesit sirianë, Igli Totozani deklaron se qeveria shqiptare është e vonuar, pasi duhej të ishin krijuar kushtet pritëse, madje dhe duke respektuar të gjithë të drejtat e njeriut.

“Përveç përgatitjeve që duhet të ketë shteti shqiptar që në çdo moment mund të hyjnë në territorin shqiptar njerëz nga vendet në luftëra, duhet t’i presë ata në mënyrë dinjitoze duke respektuar të drejtat e tyre, pra që nga e drejta për azil e deri tek të drejtat tjera që parashikohen në Shqipëri, por edhe trajtimi i tyre në qendrat e caktuara të shtetit shqiptar ose në kampet që mund të ngrihen, duhet të jenë në respekt të plotë të dinjitetit të këtyre njerëzve”, vazhdoi Avokati i Popullit, Totozani.

Në tetor do të mbahet një konferencë mbi emigracionin me të gjithë ombusmanët e Mesdheut ku do të marrin pjesë përfaqësues të Bashkimit Europian, OKB-së, IOM-it e të tjerë organizma ndërkombëtare.

Top Channel