Bushati në Luksemburg: Vala e refugjatëve kërkon një përgjigje kolektive

05/09/2015 15:00

Ministat e Jashtëm të shteteve anëtare dhe vendeve kandidate të BE-së u mblodhën në Luksemburg për të biseduar mbi emigracionin në formatin jozyrtar ‘Gymnich’, në të cilin ministrat flasin për çështjet kyçe të politikës së jashtme të Besë, pa praninë e diplomatëve e këshilltarëve respektivë.

“Diskutuam për të krijuar një zonë sa më të sigurtë dhe për të dëshmuar solidaritet e përgjegjshmëri, që në disa raste për fat të mirë e kanë demonstruar mjaft qartë vende të Ballkanit perëndimor. Dhe janë këto modele të cilat mund të shihen edhe nga ana e vendeve të Bashkimit Europian. Gjithashtu, diskutuam edhe për përmirësimin e politikës së azilit dhe emigracionit nga vetë vendet anëtare të BE-së, të unifikimit sa më shumë të jetë e mundur të këtyre procedurave dhe përfshirjen e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në listën e vendeve me origjinë të sigurtë, sepse është fakt që nga njëra anë vendet tona po avancojnë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe nuk ka më asnjë justifikim nga pikëpamja ligjore që një pjesë e vendeve tona të mos kenë këtë kualifikim ligjor”, deklaroi Bushati.

“Nuk ka arsye për të mos dhënë azil për personat që vijnë nga vendet e luftës dhe rrezikojnë jetët e tyre”, tha nga ana tjetër ministri belg Didier Reynders, vendi i të cilit përcakton Shqipërinë “një vend jo të sigurtë” prej tetorit të kaluar, për shkak të rritjes së numrit të azilkërkuesve të pranuar, kryesisht për motive të gjakmarrjes.

Por mikpritja e solidariteti europian nuk ndahet njësoj mes vendeve anëtare dhe krahas kuotave mbi refugjatët diskutohet dhe rivendosja e kufijve.

“Ne ende nuk e dimë se për çfarë shifrash po flasim. Prandaj mendoj se ne duhet të stabilizojmë kufijtë tanë së pari, të rivendosim Schengen në praktikë dhe pasi të njihemi me numrin real, atëherë mund të bisedojmë për kuota”, tha ministri i Jashtëm sllovak, Miroslav Lajcak.

“Vala e refugjatëve, si një krizë e paprecedentë që ka goditur Europën”, tha më tej gjatë fjalës së tij ministri Bushati, “përbëhet nga një sërë elementësh që vënë në sprovë aftësitë e të gjithëve dhe kërkon përgjigje kolektive, instrumenta solidarizues për të pritur refugjatët dhe për të luftuar rrjetet e trafikantëve dhe të elementëve terroristë që mund të kërkojnë të përfitojnë nga kjo situatë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA