Feja si simbol për paqen

04/09/2015 00:00

Në një kohë kur shumë vende të botës janë përfshirë nga luftra, janë goditur nga terrorizmi dhe po vuajnë plagën e emigracionit, përfaqësuesit e komuniteteve fetare në Shqipëri kanë përcjellë mesazhe paqeje.

“Në Shqipëri është e mundur të jetohet në vëllazëri. Harmonia ndërfetare në Shqipëri është fakt historik”, thanë përfqësues të besimeve të ndryshme.

Në prag të nisjes së eventit për paqen në botë, përfaqësuesit e komunititet të Sant Egidios kanë prezantuar programin 3-ditor dhe kanë theksuar rëndësinë e dialogut për paqen, i cili është më i vështirë, por edhe e vetmja rrugë për njerëzimin.

Alberto Quatrucci, Sekretar i Përgjithshëm i Komunitetit të Sant Egidios, u shpreh: “Nuk mund të mos kujtojmë emigracionin e viteve ’90 në Shqipëri. Ta shikoje me pozitivitet atëherë, ishte të dilje kundër rrymës, por ai emigracion ka sjellë zhvillim në Itali dhe Shqipëri. Tani po përballemi me një formë tjetër emigracioni në Europë dhe ky takim në Shqipëri do të tregojë angazhimin e komuniteteve fetare për t’iu përgjigjur sfidës së emigracionit, që mund të jetë edhe një sfidë zhvillimi”.

Ndërkohë, ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi, deklaroi: “Nëpërmjet dialogut, ne mund të harrojmë konfliktet. Rajoni i Ballkanit, edhe falë kontributit të madh të politikës shqiptare është sot një ambient më i paqtë dhe që mendon më tepër për zhvillimin sesa për luftën”.

Pasditen e së dielës nisin aktivitetet për Lutjen e Paqes, të cilat do të zgjasin deri të martën pasdite, kur do të inaugurohet edhe Parku i Paqes, vend ku do të mbillet në mënyrë simbolike pemë ulliri.

Top Channel