Basha: Meta dhe Tahiri, nën akuza të rënda

04/09/2015 17:10

Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, kreu i opozitës Lulzim Basha ka sulmuar kryetarin e Kuvendit dhe ministrin e Brendshëm, të cilët – sipas tij, – janë nën akuza të rënda.

“Numri dy i vendit, Ilir Meta, është zbuluar se ka marrë ryshfet nga një kompani e bekuar prej tij. Faktet janë bërë publike, ryshfeti i tij është paraqitur si argument në Gjykatën e Arbitrazhit në Vjenë, nga Zyra ndërkombëtare e Avokatisë e Qeverisë shqiptare. Ministri i Brendshëm akuzohet nga Dritan Zagani, oficer i lartë i policisë, i angazhuar për vite në luftën antidrogë, si kumbari i bandave të narkotikëve në Jug, kryesisht në Vlorë. Fakte dhe prova kanë dalë në publik. Mjetet private të ministrit janë përdorur prej kushërinjve të tij Habilaj, që njihen si kokat e trafikut. Aksionet antidrogë të policisë janë dekonspiruar në mënyrë të përsëritur, duke ndihmuar trafikantët e duke vënë në rrezik jetën e oficerit e familjes së tij”, – shkruan Basha në Facebook.

Më tej, kryetari i PD-së shprehet se, në mes të këtyre ngjarjeve të rënda, kryeministri Edi Rama mbështet krimin dhe korrupsionin.

Ky postim i Lulzim Bashës ka ardhur vetëm 2 orë pas takimit, që ky i fundit pati me ambasadorin e SHBA-ve, Donald Lu, në selinë e PD-së, takim ky që sipas burimeve të Top Channel është zhvilluar kokë më kokë mes të dyve.

Të tilla takime, ambasadori Lu ka pasur gjatë pasdites edhe me ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, dhe kryeministrin Edi Rama.

Top Channel