Refugjatët, Juncker kërkon të shtohen kuotat e pranimit në BE

03/09/2015 20:45

Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker do t’i propozojë një masë të rëndësishme bllokut nga Strasburgu, duke u kërkuar vendeve të Bashkimit Europian të rrisin kuotat e strehimit të refugjatëve.

Nga 40 mijë kuota, që ishte rënë dakord nga krerët në muajin korrik, Juncker tashmë u kërkon udhëheqësve të shteteve, që të shtrehojnë 160 mijë refugjatë. Propozimi i ri konsiston edhe në nevojën e shpërndarjes së emigrantëve, që kanë zbarkuar kryesisht në Itali, Greqi, Ballkanin Perëndimor dhe në Hungari. Sistemi i ri i kuotave do të përfshijë gjithashtu edhe vendet, të cilat më herët e kanë refuzuar pranimin e azilantëve. Ndër to, përmendet Hungaria, disa vende të Europës Lindore, si dhe Britania e Madhe.

Pakoja “Juncker” duket se u pret rrugët edhe qytetarëve që vijnë nga vendet kandidate për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Ajo përfshin rregulla të reja, ndër të cilat theksohet se, shtetasit e këtyre vendeve nuk mund të pretendojnë azil politik pasi – sipas Juncker, – kjo është kërkesë e pabazë.

Duket se më të favorizuarit nga këto masa të reja do të jenë refugjatët, të cilët kërkojnë të shkëputen nga lufta në Lindjen e Mesme, apo të tjerë që kërkojnë t’i japin fund varfërisë ekstreme kryesisht nga Afrika Veriore.

Udhëheqësit e BE-së i patën refuzuar më parë kërkesat e Komisionit Europian për kuota të detyrueshme të strehimit të refugjatëve. Por, fluksi i panumërt i muajve të fundit i ka detyruar ata, të rishikojnë qëndrimet e tyre. Nga ana tjetër, edhe Presidenti i Këshillit të Europës, Donald Tusk, i cili kërkon një qasje më të unifikuar të bllokut, u shpreh se një shpërndarje e drejtë e refugjatëve do të ndihmonte këdo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA