Kosovë, do të hiqen tatimet për ilaçet, ulet TVSH për ushqimet e shportës

02/09/2015 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa paralajmëroi ndryshime të reja në politikat fiskale, duke përmendur me theks të veçantë heqjen e tatimeve për barna.

Ai vlerësoi se, me paketën e re fiskale ndihmohen bizneset, ndërsa me reduktimin e normës së TVSH-së nga 16 në 8 për qind për produktet bazë të shportës së konsumatorit, do të përfitojnë familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

“Nga paketa fiskale, nga ulja e pragut të TVSH-së nga 16 në 8% për shportat familjare që kanë të ardhura të mesme dhe të ulëta, nuk përfitojnë ata që kanë të ardhura të larta. Ministria e Financave dhe ministritë e tjera do të punojnë për ligjet e tjera, që do të adaptojnë përfshirjen e TVSH-së dhe tatimeve në disa produkte dhe te heqja e tyre për barnat, jo vetëm për ato që janë në Marrëveshjen për Tregti të Lirë në Europën Qendrore”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Kabineti qeveritar miratoi edhe projektligjin për Shërbimin e Jashtëm të Kosovës. U bë e ditur se, ky projektligj, mes të tjerash forcon kriteret për pranimin në shërbimin e jashtëm diplomatik të Kosovës.

“Me këtë projektligj rregullohet pozita e personelit të shërbimit të jashtëm dhe qartësohet pozita mes diplomatëve të karrierës dhe shërbyesve civilë”, tha Hashim Thaçi, zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm.

Zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, njëherësh ministër i Jashtëm, tha se Kosova është duke zhvilluar një politikë të jashtme dinamike, me qëllim fuqizimin e vazhdueshëm të shtetësisë edhe përmes anëtarësimit në mekanizmat ndërkombëtarë. Ai ka thënë gjithashtu se, për këtë qëllim është parë e arsyeshme, që të punohet edhe në krijimin e një baze moderne ligjore, e cila rregullon në një periudhë afatgjatë funksionimin e shërbimit të jashtëm të Kosovës. Në këtë mënyrë – shton Thaçi, – i shërbejmë profesionalizimit të mëtejshëm të këtij shërbimi të rëndësishëm, për mbrojtjen dhe promovimin e interesave të vendit tonë.

Në këtë mbledhje, qeveria bëri ndarjen e mjeteve për rregullimin e një objekti shkollor në Kaçanik dhe konviktit të Universitetit të Prishtinës. Po kështu, kabineti qeveritar vendosi për shpronësimin e disa pronave, me qëllim ndërtimin e autostradës Prishtinë-Han i Elezit.

Top Channel