Prishtinë, VV heq barrierat rrethuese të Kryeministrisë

01/09/2015 00:00

Aktivistëve të lëvizjes Vetëvendosje u është dashur më pak se një minutë për të hequr barrierat përforcuese përreth oborrit të qeverisë së Kosovës.

Barrierat ishin vendosur një ditë më parë, në bazë të rekomandimeve të policisë. Aktivistët e Vetëvendosjes vepruan me arsyetimin se qeveria nuk duhet të ndajë veten nga qytetarët dhe, siç thanë ata, politikanët nuk duhet t’u ikin përgjegjësive duke u rrethuar.

“Siç e kemi parë, kryeministri Isa Mustafa tani ka filluar të vendosë barrikada të cilat ndajnë pushtetin nga qytetarët. Demokracia e vërtetë nuk lejon që qeveria të ndahet nga populli. Kjo ndarje i ngjan vetëm sistemeve të kaluara autoritare që nuk kanë lidhje me demokracinë”, deklaroi aktivisti Valdrin Ahmeti.

Vendosja e barrierave rrethuese në selinë e Kryeministrisë nisi të hënën, si një ndër 12 rekomandimet që qeveria kishte marrë nga policia për ngritjen e nivelit të sigurisë, pasi ndërtesa ishte vlerësuar me rrezikshmëri të lartë.

Pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të pranishëm gjatë kësaj ngjarjeje, nuk kanë ndërhyrë për të penguar aktivistët.

Top Channel