Qendra kosovare për Studimet e Sigurisë ka mbajtur të martën një tryezë në Mitrovicë, ku është diskutuar për rrezikun që i kanoset Kosovës nga përhapja e ideve ekstremiste.
Skënder Perteshi, nga QKSS tha se Kosova po përballet me sfida të vështira ekstremizmi, pasi grupet ekstremiste përdorin si terrene të përshtatshme vendet e pazhvilluara ekonomikisht dhe pa qëndrueshmëri politike.
Ai tha se shkaktarët, që kanë çuar në përhapjen e bindjeve ekstremiste, janë bindjet e gabuara në emër të fesë, papunësia, mirëqenia e dobët ekonomike, niveli i ulët i edukimit dhe izolimi i qytetarëve.
I pranishëm në këtë tryezë ishte edhe kryeimami i komunitetit mysliman në Mitrovicë, Rexhep Lushta, i cili theksoi si një të keqe të madhe faktin që, sa herë përmendet ekstremizmi, radikalizmi apo terrorizmi, në mendjet e njerëzve shkon gjithmonë feja islame.
Ai shtoi se ky është gabimi më i madh që bëhet, për shkak se ekstremizëm dhe radikalizëm nuk ka vetëm në Islam, por në të gjitha përbërjet e shoqërive njerëzore, nga të gjitha përkatësitë etnike dhe fetare.
Lushta tha se Kosova njihet për një shoqëri shumëfetare, një shoqëri e cila prej shekujsh ka bashkëjetuar me të gjitha besimet dhe – sipas tij, – në Kosovë nuk është shënuar asnjëherë ndonjë rast i ekstremizmit ndërfetar.
Sipas kryeimamit Lushta, fenomeni i radikalizmit ka ardhur nga edukimi jo i mirëfilltë i popullatës, posaçërisht rinisë rreth parimeve të vërteta fetare, si dhe nga presionet e vazhdueshme të qarqeve të ndryshme, që i bëhen komunitetit mysliman në Kosovë.
Top Channel