Krerët e Kosovës, për marrëveshjet e nënshkruara: Investim për të ardhmen

26/08/2015 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka njoftuar se, në seancën e parë të Kuvendit të Kosovës do t’i njoftojë deputetët për 4 marrëveshjet e arritura ditën e martë në Bruksel, mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë.

Në një postim në Facebook, ai thotë se 4 marrëveshjet e nënshkruara më 25 gusht në Bruksel janë me peshë historike në rrugën e forcimit të shtetit të Kosovës dhe të partneritetit me BE-në dhe SHBA-të.

Edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, pas nënshkrimit të 4 marrëveshjeve me Beogradin në Bruksel, ka porositur se me këto marrëveshje, Kosova ka bërë një investim në të ardhmen evropiane të gjeneratave të reja të vendit.

“Marrëveshja e nënshkruar sot (e martë) shënon progres në telekom, integrimin energjetik, asociacion, barrikadën në lumin Ibër. Ky është një investim për të ardhmen evropiane të fëmijëve tanë. Përfitimet ekonomike dhe politike janë të qarta, ndërsa tani presim edhe hapa të përshpejtuar për nënshkrimin e MSA-së, integrimin në NATO, liberalizimin e vizave, anëtarësimin në UNESCO, INTERPOL dhe Këshillin e Evropës. Kjo përkthehet në stabilitet dhe investime ekonomike. Republika është forcuar”, ka shkruar Thaçi mbrëmë në Facebook.

*

Ka reaguar gjithashtu edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila ka përshëndetur nënshkrimin e 4 marrëveshjeve në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të martën në mbrëmje në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, si një moment të rëndësishëm për fuqizimin e rendit kushtetues dhe normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.

Presidentja Jahjaga, e cila zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin Isa Mustafa, që ishte edhe udhëheqës i delegacionit shtetëror në bisedimet me Serbinë, theksoi se “marrëveshjet forcojnë sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe integritetin territorial, dhe aspiratën tonë për ta bërë Kosovën shtet gjithëpërfshirës, të qëndrueshëm dhe me prosperitet”.

Sipas Presidentes së Kosovës, marrëveshjet ndihmojnë edhe në integrimin e komunitetit serb në jetën institucionale dhe shoqërore të vendit, në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi.

“Arritja e pakos së marrëveshjeve, përfshirë kodin e mëvetësishëm telefonik, dëshmon përkushtimin dhe seriozitetin e Republikës së Kosovës në procesin e dialogut, suksesi i të cilit do t’i ndihmojë edhe konsolidimit të mëtejshëm ndërkombëtar të Republikës së Kosovës dhe perspektivës së saj të qartë europiane”, thuhet në deklaratën e Presidencës së Kosovës.

Top Channel