Ballkani i zhgënjyer drejt Gjermanisë. DW: Politika, fajtore për krizën ekonomike

17/08/2015 00:00

Pothuajse gjysma e azilkërkuesve që shkojnë në Gjermani janë nga Ballkani, një rajon ku nuk ka as konflikt, as uri e as tortura. Prej dy dekadash tashmë, kujton Verica Spasovksa e “Deutsche Welle”, gjysmë-shtetet e dala nga ish-Jugosllavia dhe fqinjët e tyre jetojnë në paqe.

Kroacia dhe Sllovenia janë anëtarë të BE-së dhe vendet e tjera ballkanike kanë prej vitesh një perspektivë anëtarësimi. Nuk ka vend pra për krahasim me Sirinë, Irakun apo Afganistan, ku çdo ditë njerëzit vdesin nga lufta e terrori. Atëherë, përse ky eksod? Largimi masiv i njerëzve nga ky rajon e dyndja e tyre në Gjermani me shpresën se do të arrijnë të marrin azil, për Spasovskën, i detyrohet varfërisë, një të ardhmeje të paqartë dhe zhgënjimit të thellë nga stanjacioni politik dhe ekonomik në atdheun e tyre.

E për këtë, thotë ekspertja, përgjegjësia rëndon më së pari mbi elitat politike. E rreptë dhe e drejtpërdrejtë në komentet e saj, Spasovksa konsideron se ndihmat miliardësha euroshe të bllokut europian nuk kanë sjellë vërtet zhvillimin e shpresuar ekonomik dhe demokratizimin. As perspektiva e anëtarësimit në BE nuk duket se frymëzon shumë zellin e aktorëve politikë për reforma, vazhdon ajo.

Për aq kohë sa ato nuk janë në BE, por marrin fonde prej tij, nuk duhet t’ia dorëzojnë kompetencat Brukselit dhe mund t’i ruajnë favoret e tyre. Në vendet e Ballkanit Perëndimor papunësia që prej dy dekadash është midis 25%. Në Bosnjë dhe Hercegovinë më shumë se 60% e të rinjve janë pa punë. Edhe të rinj të diplomuar e të mirëarsimuar nuk gjejnë punë të përshtatshme, sepse pengohen nga korrupsioni dhe nepotizmi.

Analistja mendon se partitë politike janë shtrirë rrezikshëm në shoqëri dhe se në mënyrë indirekte janë shndërruar në punëdhënësin më të madh. Tranzicioni i ngadaltë në rrugën e demokracisë dhe sundimit të ligjit në Ballkan kuptohet që ka shkaktuar pakënaqësi në BE, që e ka kthyer vëmendjen në vatra të tjera krizash, si Greqia dhe Ukraina. Por ndoshta eksodi masiv nga Ballkani do ta kthejë përsëri vëmendjen te ky rajon.

“Do të ishte mirë, sikur në Bruksel të merreshin përsëri intensivisht me ngecjen e reformave në oborrin e pasëm të Europës”, shton Spasovksa. Në rast nevoje, këshillon ajo, le ta mbyllin edhe rubinetin e parave, nëse reformat nuk zbatohen.

Top Channel