Mustafa: Brenda muajit, Kosova me kod telefonik

13/08/2015 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në një konferencë për shtyp ka paralajmëruar se deri në fund të këtij muaji vendi do të ketë kodin telefonik shtetëror.

“Mendojmë se tregu i telekomunikimeve ka filluar të liberalizohet në Kosovë dhe me këtë po krijohen kushte mjaft të mira. Ndërkaq, po presim që në fund të këtij muaji të nënshkruajmë marrëveshjen që mundëson kodin e posaçëm telefonik për Kosovën dhe që ne të kemi pavarësi të plotë në këtë fushë”, ka deklaruar Mustafa.

Kryeministri Mustafa, duke prezantuar arritjet e qeverisë në fushën e ekonomisë foli për sektorin e energjisë, duke thënë se qeveria është angazhuar në ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”. Ai shtoi se marrëveshja për energjinë mes Kosovës dhe Serbisë pritet të arrihet në fund të këtij muaji.

“Në sektorin e energjisë ne do të vazhdojmë të punojmë në ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, me kapacitet prej 600 mega vat. Pritet që së shpejti të finalizohet procesi negociues dhe të vendoset lidhur me procesin e mëtejshëm me firmën “Contor Globa”, e cila është firma e vetme që ka mbetur në konkurrencë dhe me të cilën tashmë jemi duke zhvilluar negociata. Jemi të interesuar po ashtu të punojmë në riaktivizimin e “Kosova B”, duke implementuar masat e karakterit ambiental, masat teknike dhe po ashtu do të gjejmë modalitete të financimit. Në këtë drejtim kemi mbështetjen e institucioneve financiare dhe fondacioneve të ndryshme”, theksoi Mustafa.

Sipas shefit të qeverisë, së shpejti do të zhvillohet procesi i tenderimit për kompaninë e vetme që ka mbetur në garë. Ndërsa në plan është edhe riaktivizimi i termocentralit “Kosova A”.

Mustafa bëri të ditur se po punohet në krijimin e një tregu të përbashkët energjitik me Shqipërinë, e që sipas tij pritet që në vitin 2016 të ketë një linjë të përbashkët.

Sa i përket sektorit të minierave, Mustafa tha se në fokus të veçantë do të jetë miniera e Trepçës, për të cilën po punohet në dy projekte. Ai nënvizoi se deri në mes të shtatorit do të klompletohen bordet e ndërmarrjeve publike.

Ndërsa i pyetur se si do të jetë marrëveshja për Asociacionin e Komunave Serbe, ai tha se do të sigurohemi që kjo bashkësi të mos ketë kompetenca ekzekutive.

Top Channel