“Ëndrra e një nate vere”, vepra e Shekspirit në skenën antike të Durrësit

13/08/2015 00:00

Nisma e një vajze nga Durrësi për të aplikuar në projektin “Ëndrra ime” të kryeministrit Edi Rama i ka dhënë jetë ëndrrës së shumë artistëve dhe artdashësve. Këtë të diel, në arenën e një prej monumenteve më të bukura të Antikitetit në Shqipëri do të ngjitet Shekspiri me “Ëndrrën” e tij plot humor therës, pasion e imagjinatë.

“Nuk është vetëm ëndrra ime, kuptova që është ëndrra e një qyteti të tërë. Kam kuptuar me kohë që njerëzit e kanë dashur me kohë historinë dhe artin në këtë qytet ku unë kam lindur”, tha Josiba Osmani, ideatorja e Projektit.

Mbështetja e kësaj nisme realizoi dhe një ëndërr të regjisores Driada Dervishi, e cila është në provat e fundit me trupën prej 14 aktorësh të Teatrit ‘Aleksandër Moisiu’, ndërsa i ftuar në këtë shfaqje është dhe aktori Romir Zalla.

Për herë të parë, kjo vepër e Shekspirit do të vijë në një skenë krejt të veçantë, që e zhvendos në kohë dhe i dhuron magjinë e madhështisë së Antikitetit.

“Në momentin e parë që është vënë në vitin 2013, “Ëndrra e një nate vere” që mund të themi që është komedia më me fantazi e Shekspirit, u nis pikërisht për ta shfaqur në amfiteatër. Për hir të 1001 arsyeve të vogla, që bëhen të mëdha, kjo u bë e pamundur. Ashtu si Shekspiri sjell zanat në një moment të caktuar për të zgjidhur diçka, ndoshta dhe yjet u rreshtuan në drejtimin e duhur dhe arritën që të sillnin, të bëhej e mundur kjo ëndërr”, tha Driada Dervishi, regjisore e Teatrit të Durrësit.

E shfaqur në skenën e Teatrit “Aleksandër Moisiu” dy vite më parë, regjisorja Dervishi e sjell veprën ‘Ëndrra e një nate vere’ të rikonceptuar, si nga ana vizive, ashtu dhe në trupën e aktorëve. Për herë të parë trupa e Teatrit “Aleksandër Moisiu” ka sakrifikuar sezonin e pushimeve, për të sjellë para artdashësve dhe turistëve këtë komedi. Kjo përvojë e parë sjell me vete dhe idenë e të qenit sa më pranë artdashësve edhe gjatë sezonit turistik.

“Është një gjë që ne e kemi menduar shpesh që pushimet aktorët e Durrësit duhet t’i bëjnë në janar dhe në shkurt. Mendoj që është periudha më e mirë, sepse unë dua të lë pa përmendur interesin shumë të madh të njerëzve që thonë se ne do të kemi vërtetë një shfaqje në amfiteatër”, tha regjisorja Dervishi.

E si të mos mjaftonin herët e para, edhe aktori Amos Zaharia, pjesë e trupës së teatrit, ka patur momentin e tij magjik në Amfiteatër.

‘Ëndrra e një nate vere’ vjen këtë të diel, në orën 20.30 me një shfaqje të vetme në skenën e hapur të Amfiteatrit të Durrësit.

Top Channel