“Buvelardi i ri”, brenda mandatit. Veliaj: Rikthim te projekti origjinal

10/08/2015 00:00

“Bulevardi i ri” i Tiranës do të ketë një park qendror, rreth 6 herë më të madh se Parku “Rinia” dhe me gjelbërim përreth, duke u rikthyer në projektin origjinal.

Ashtu siç edhe kishte premtuar gjatë fushatës elektorale, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka shpallur vendimin për t’iu kthyer idesë fillestare të zhvillimit të “Bulevardit të ri”, me gjelbërim dhe jo pallate. Këtë, ai e bëri të ditur gjatë inspektimit në punimet për rregullimin e lumit të Tiranës.

“Më në fund kemi një lajm të mirë për të gjithë atë ndërprerje që kemi pasur për çështjen e ‘Bulevardit të ri’ dhe lumin e Tiranës. Arritëm të negociojmë me sukses me kompaninë britanike, e cila është firma arkitekturore që ka konceptuar ‘Bulevardin e ri’ dhe do të kthehemi në idenë origjinale. Kjo ide nënkupton një park qendror në mes të zonës së këtij bulevardi, çka i rrit vlerën komunitetit dhe është edhe premtimi ynë publik për të shtuar parqet e jo hapësirat ku ndërtohet. Me ndryshimin e këtij projekti, duke futur konceptin e parkut qendror, besoj se jemi gati dhe sot kemi rifilluar punimet në lumin e Tiranës”, u shpreh kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.

Ai ka njoftuar edhe rinisjen e punimeve për rregullimin e lumit të Tiranës, me qëllim shmangien e përmbytjeve në ish-Njësitë 9 dhe 11.

“Në të ardhmen, përveç ndërhyrjeve emergjente, do të sigurojmë ndoshta parkun më tërheqës të quajtur ‘Bulevardi T’, ku bulevardi i ri i Tiranës bashkë me zonën e lumit të Tiranës do të jetë një nga zonat rezidenciale dhe komerciale më interesante të qytetit tonë. Është një lajm i mirë për banorët e zonës, sepse do t’iu shtohet një park i ri, edhe me lumin dhe parkun qendror të bulevardit, por është gjithashtu një lajm i mirë për të gjithë ata që kanë prona, sepse do të ketë një rritje të vlerës së pronës dhe truallit në këtë zonë, çka do të bëjë që të mirat ekonomike të Tiranës të shpërndahen jo vetëm në qendër, por edhe në zona që deri dje ishin periferike. Besoj se brenda këtij mandati, kjo do të jetë një nga zonat më të lakmuara të Bashkisë së re të Tiranës”, tha më tej kryetari Erion Veliaj.

Gjatë vizitës së tij në Njësinë 11, në Laprakë, kryetari i Bashkisë Erion Veliaj prezantoi administratorin e kësaj njësie, Gentian Arapin.

Top Channel