Bozdo: Veliaj gënjen. Parku i “Bulevardit të ri”, sa 1/5-ta e projektit origjinal

10/08/2015 00:00

Vetëm pak orë pasi kryebashkiaku i ri i Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi rifillimin e punimeve për “Bulevardin e ri” dhe ato të lumit të Tiranës, ku dhe shpalli vendimin për t’iu rikthyer projektit origjinal, pjesë e të cilit do të ishte edhe një park qendror të rrethuar me gjelbërim, rreth 6 herë më të madh sesa Parku “Rinia”, ka ardhur edhe reagimi i ish-nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo.

Bozdo e quan gënjeshtrën e radhës nga ana e kryebashkiakut Veliaj ekzistencën e parkut të ofruar gjatë kësaj të hëne prej kryebashkiakut në fjalë, i cili sipas tij, është minimalisht 5 herë më i vogël se hapësira e gjelbërt që ofron projekti origjinal i ‘Bulevardit të ri’ dhe lumit të Tiranës, referuar kështu me “origjinal” projektit të mbrojtur nga opozita, e cila deri para 21 qershorit zotëronte edhe çelësat e Bashkisë së Tiranës.

Sipas Bozdos, në përpjekje për t’i mbushur mendjen opinionit publik se po ofron gjelbërim për Tiranën, kryebashkiaku Veliaj gënjeu sërish gjatë ditës së sotme, pasi oferta e re thjesht sa redukton hapësirat e blerta, duke mos pasur më praktikisht bulevard. Në projektin “origjinal” të ish-drejtuesit demokrat të bashkisë, kishte 300 mijë metra katrorë gjelbërim të planifikuar, duke shtuar këtu edhe 1 milion m2 gjelbërim shtesë që Tirana përfitonte nga projekti i lumit të Tiranës.

Por ky projekt, sipas ish-nënkryetarit Bozdo, është anuluar nga Veliaj me një të rënë të lapsit, e tashmë i ofrohet kryeqytetit një park i ri, i cili do të jetë në rastin më të mirë sa 1/5-ta e gjelbërimit të parë.

Me këtë shpjegim, Bozdo vijon më tej të aludojë se arsyet e vërteta të bllokimit, prej më shumë se dy vitesh, të projektit të “Bulevardit të ri” kanë qenë interesat e “betonit”, siç i quan ai. Gjatë kësaj kohe, 2 mijë punëtorë humbën punën, ndërsa Tirana humbi gjelbërimin aq shumë të nevojshëm pas batërdisë së bërë nga ish-kryebashkiaku Rama gjatë 11 viteve të drejtimit të kryeqytetit.

Top Channel