Helmohen studentët e Akademisë së Sigurisë, dyshohet se shkak është bërë ushqimi Problemi me azilkërkuesit ka bërë që drejtuesit më të lartë të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit të nisin një fushatë të përditshme në pikat e kalimit kufitar.
Një ditë pasi zëvendësministrja e Brendshme, Elona Gjebrea u ndal në Kakavijë, zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë për Kufirin dhe Migracionin, Genc Merepeza është ndalur në Portin e Vlorës, nga ku ka bërë apel për kthim vullnetar në atdhe.
“Shtetasit shqiptarë, të cilët do të kthehen në mënyrë vullnetare nga këto vende do të trajtohen – dhe janë trajtuar për hir të së vërtetës, – si qytetarë të thjeshtë që po kthehen nga një udhëtim kthimi nga vendet e BE-së në Shqipëri, teksa kalimi i tyre bëhet në terminalin e pasagjerëve. Rrjedhim i kësaj është mospenalizimi i tyre me ndalimin 5-vjeçar për të dalë drejt vendeve të BE-së”, tha Genc Merepeza.
Merepeza është ndalur edhe tek azili ekonomik, duke saktësuar se një term i tillë nuk njihet dhe as pranohet nga vendet e BE-së.
“Ai është një azil inekzistent. Asnjë shtet i Europës nuk e njeh si term, e jo më të japin azil. Kërkesa për azil në këtë mënyrë, siç e bëjnë shqiptarët, përbën një abuzim dhe ata janë të destinuar të gjithë të kthehen në Shqipëri. Kthimi i tyre ka vazhduar thuajse gjatë gjithë vitit, janë rreth 13 mijë shtetas që janë kthyer brenda 2015-s”, tha më tej Merepeza.
Sipas zv.drejtorit të Përgjithshëm të Policisë për Kufirin e Migracionin, gjatë ditëve në vijim priten të vijnë edhe 5 avionë me shtetas shqiptarë nga Gjermania.
Top Channel