Durrës, ende asnjë informacion për motrat Kajtazi. Prindërit, apel policisë

08/08/2015 00:00

Nuk ka ende asnjë informacion mbi vendndodhjen e dy motrave Kajtazi të larguara nga shtëpia e tyre, në Spitallë të Durrësit, ndërsa prindërit luten që ato të mos kenë kaluar ilegalisht kufirin dhe që policia t’i kthejë pranë tyre.

Apeli publik i prindërve përshpejtoi punën e grupit hetimor për verifikimin e cdo lloj informacioni rreth dy motrave.

Drejtues të hetimit bëjnë të ditur se persona që mund të kenë dijeni dhe shoqëri me vajzat, fqinj etj. janë marrë në pyetje në përpjekje për të zbërthyer ngjarjen dhe mundësuar gjetjen e Orialdës, që ende nuk i ka mbushur 18-at, dhe Klevisës 14 vjeçe.

Katër telefonët celularë që vajzat kanë marrë nga shtëpia rezultojnë të fikur, ndërsa policia vijon verifikimin e tabulatëve të tyre. nga hetimet e deritanishme duket se një gjë është e sigurtë, se vajzat janë ndihmuar nga dikush për të realizuar planin e arratisë së tyre.

Vajzat janë larguar nga shtëpia duke i vënë zjarrin vajit të derdhur në dhomë dhe pasi janë siguruar se prindërit e helmuar nuk do të ktheheshin në shtëpi atë natë. Ato kanë marrë, përveç parave, edhe katër valixhe të mëdha me rroba dhe këpucë.

Ndonëse për policinë vajzat janë autoret e dyshuara të zjarrvënies, familjarët nuk e besojnë këtë. Madje, ata pretendojnë se vajzat janë mashtruar në rrjetet sociale nga persona në moshë, të cilët më pas i kanë detyruar të veprojnë kundër vullnetit të tyre.

Prindërit dhe motra e madhe deklarojnë se pas dështimit të fejesës me mblesëri me një djalë në Itali, Orialda kishte ndryshuar shumë, por ajo e kishte vendosur vetë ndarjen dhe familja e kishte mbështetur. Ky version hedh poshtë atë të hakmarrjes së vajzës ndaj familjes për prishjen e fejesës në muajin mars.

Orialda ishte larguar edhe më parë nga shtëpia, në maj të vitit 2013, kur babai i ishte kundërvënë një lidhjeje të krijuar mes saj dhe një bashkëmoshatari në Facebook. Por pas 3-4 orësh vajza u gjet dhe u rikthye në shtëpi nga policia.

Ndërkaq, në maj të këtij viti, familjarët kishin përfunduar sërish në spital, të helmuar nga medikamente për gjumin, të hedhura në ushqim nga vajza e vogël, që gjoja i kishte blerë për gjyshen në farmaci.

Këto ngjarje dhe turpi i shtynë prindërit të qëndronin në heshtje, duke pritur veprimet e policisë. Por kalimi i javëve dhe mungesa e informacionit mbi vajzat i alarmoi ata mbi rrezikun që mund t’u kanoset të bijave, që sipas tyre janë viktima të dikujt që ka përfituar nga mosha e tyre e re dhe gjendja psikologjike.

Top Channel