Prishtinë, veteranët e UÇK-së mësyjnë ndërtesën e Qeverisë. Përleshen me Policinë

07/08/2015 00:00

Është dashur ndërhyrja e njësisë speciale të Policisë së Kosovës për t’i larguar veteranët e luftës së UÇK-së, të cilët, të pakënaqur me punën e Komisionit qeveritar për Verifikimin e Kontributit të tyre në luftë, rrëzuan rrethimet qeveritare dhe depërtuan brenda.

“Kjo është shenjë e pakënaqësisë. Kërkojmë nga komisioni ta përfundojë procesin e të mos merret me punë të kota”, tha Xhevdet Qeriqi, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve.

Kjo është protesta e radhës e veteranëve të UÇK-së, të cilët kërkojnë publikimin e listave përfundimtare të veteranëve, që janë ankuar për gabimet në punën e komisionit qeveritar.

Janë 20 mijë ankesa gjithsej, që është duke i trajtuar aktualisht komisioni qeveritar. Kryetari i komisionit, Agim Çeku, tha përmes telefonit se, komisioni do të punojë me intensitet të lartë, që trajtimi i ankesave të përfundojë në fillim të shtatorit.

Ai shtoi se është në pritje të një takimi me kryeministrin, Isa Mustafa, për të diskutuar për zbatimin e ligjit dhe shpërndarjen e mjeteve për kontribuesit e luftës së UÇK-së. Nga ana tjetër, shpërndarja e certifikatëve për listat e rregullta të veteranëve tashmë ka filluar dhe ajo po bëhet në ndërtesën e selisë qendrore të Shoqatave të Luftës, sipas radhës së publikimit.

Top Channel