Pushuesit, zjarret, uji dhe ushqimet; Prefekti Vorpsi mbledh Komisionin e Emergjencave

06/08/2015 00:00

Prefekti i Qarkut të Tiranës, Sadi Vorpsi mblodhi këtë të enjte Komisionin e Emergjencave, me pjesëmarrjen e drejtuesve dhe përfaqësuesve të drejtorive rajonale si dhe të bashkive të reja.

Sipas Prefektit, fokusi në këtë muaj të nxehtë është eliminimi i çdo rasti të zjarreve për të shmangur dëmet në komunitet dhe masakrat mjedisore të mundshme. Ai kërkoi gatishmëri dhe më shumë përgjegjësi dhe konfirmoi se “të gjithë stacionet zjarrfikëse në 5 bashkitë që përbëjnë Qarkun e Tiranës janë në krye të detyrës, për të përballuar çdo problematikë të mundshme që mund të shkaktojë stina e nxehtë”.
 
Të njëjtën përgjegjësi, Prefekti i Tiranës e kërkoi edhe nga institucionet e tjera që lidhen me sigurinë e pushuesve dhe më gjerë.
 
Duke u ndalur te furnizimi me ujë i kryeqytetit, Prefekti kërkoi nga ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve të tregojë më tepër efikasitet, kryesisht në stacionet e pompimit që këtë vit kanë hasur në defekte.
 
“Me rritjen e numrit të turistëve dhe pushuesve, si dhe me shtimin e konsumit ushqimor në zonat turistike, u është kërkuar institucioneve të linjës vëmendje dhe kontroll i vazhdueshëm i produkteve ushqimore”, tha z. Vorpsi, duke iu referuar kryesisht zonave turistike të Qarkut që administrohen nga bashkitë e reja, Kavajë dhe Rrogozhinë.

Top Channel