Pas Lazaratit, hashashi zhvendoset në zonat e thella të Tepelenës

06/08/2015 00:00

Pas Lazaratit, duket se një tjetër zonë e nxehtë mbi kultivimin e lëndëve narkotike është Tepelena. Zonat e thella malore jane evidentuar  nga policia me një numër të lartë parcelash me rrënjë hashashi, ndërsa duke iu referuar komunikatave zyrtare të bluve, deri më tani janë arrestuar mbi 6 persona si posedues të tyre.

Thuajse në të gjitha fshatrat e zonave të thella janë të dukshme parcelat me lëndë narkotike, ndërsa lidhur me këtë problem, jo pak të mprehtë, midis drejtuesve të njësive vendore dhe strukturave policore është zhvilluar një takim  i përbashkët.

Kreu i Bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peçi, i cili ishte nismëtar i takimit, ka kërkuar nga administratorët e ish-komunave të evidentojnë situatën duke parashtruar edhe detyrimet ligjore karshi ligjit lidhur me këtë fenomen.

I pranishëm në këtë takim, shefi i komisariatit të Tepelenës, Haki Muçobega ka theksuar se tashmë Tepelena është mjaft problematike dhe pas Lazaratit, është një zonë e nxehtë mbi kultivimin e hashashit.

Policia, në bashkëpunim edhe me kryepleqtë, ka evidentuar parcela të cilat pjesën më të madhe janë të vendosura në toka joprivate, çka sjellë vështirësi për evidentimin e personave përgjegjës.

Nga ana tjetër vetë kryepleqtë kanë kërkuar më shumë bashkëpunim me policinë, madje duke hedhur akuza kundrejt punonjësve të policisë së zonave, ku sipas tyre, në jo pak raste janë bashkëpunëtorë me poseduesit e parcelave me lëndë narkotike.

Ky ishte një takim në kuadër të bashkëpunimit të njësive vendore me blutë, ndërsa policia nuk ka bërë ende zyrtar ndonjë operacion të mundshëm në këto zona, ku për shkak të infrastrukturës së rënduar, mundësia e vetme mbetet ndërhyrja nga ajri.

Top Channel