Haradinaj, letër institucioneve: Pezulloni demarkacionin me Malin e Zi

06/08/2015 00:00

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj u ka shkruar letër përfaqësuesve më të lartë shtetërorë e institucionalë, duke u kërkuar pezullimin e nismës për marrëveshjen mbi kufirin Kosovë-Mali i Zi, me arsyetimin se ky proces është i korruptuar.

“Kërkoj nga ju që ta pezulloni nismën për lidhjen e marrëveshjes për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, për shkak të korruptimit të këtij procesi. Njëkohësisht kërkoj që të përdorni autoritetin tuaj dhe menjëherë të shkarkoni kryetarin e Komisionit Qeveritar për Demarkacionin e Kufirit, për shkak të keqpërdorimit nga ana e tij të këtij procesi, si dhe përfshirjes së tij në afera korruptive në cilësinë e kryetarit të Agjencisë Kadastrale të Kosovës. Druaj se çështja është tepër e ndjeshme dhe kërkon masa urgjente institucionale”, thuhet në letrën që Haradinaj u ka dorëzuar zyrtarëve të lartë shtëtërorë.

Më tej në vazhdën e arsyetimeve, kreu i AAK vijon: “Ne disponojmë të dhëna të besueshme se i tërë procesi i ndërlidhur me demarkacionin kufitar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi, në bazë të zgjidhjes së propozuar nga kryetari i komisionit qeveritar nuk është i besueshëm, është i shantazhuar dhe rezulton të jetë hartuar mbi bazën e favoreve dhe përfitimeve personale e grupore”.

Top Channel