Sazani, destinacioni turistik i verës; Dikur i ndaluar, vizitohet nga vendas e të huaj

02/08/2015 00:00

Ishulli i Sazanit është hapur që prej një jave për turistët. Qindra qytetarë vlonjatë, por edhe pushues të tjerë kanë vizituar këtë ishull, i cili prej shumë vitesh ka qenë zonë e ndaluar.

Mjete të shumta detare ankorohen çdo ditë në molin e ishullit, për të vizituar më pas zona të ndryshme të tij. Vizitorët shoqërohen nga dy udhërrëfyes, të cilët u shpjegojnë sidomos turistëve të huaj pak nga historia e godinave ushtarake, rrënojave e mjeteve lundruese të asaj kohe, të cilat ndodhen në det.

Vizitorët shprehen se nuk mjafton kaq, por pas hapjes së këtij destinacioni të ri turistik edhe duhet investuar. Projekti për ishullin është prezantuar më herët nga kryeministri Rama, si një nga risitë e këtij sezoni turistik.

Ndërkohë, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare u shpreh se, ky ishull do të shërbejë vetëm për t’u vizituar nga pushuesit.

“Hapja e Sazanit ka një vit që është konceptuar, së bashku me agjencinë partnere franceze, dhe ky koncept i është prezantuar qeverisë, e cila ka dhënë miratimin për ta hapur tashmë ishullin e Sazanit, një ishull tradicionalisht i mbyllur, misterioz dhe ushtarak. Në të gjithë historinë e tij është përdorur nga ushtria dhe për herë të parë këtë vit kemi mundësinë që vizitorët dhe qytetarët e lirë shqiptarë të mund të vijnë e ta vizitojnë, e për të parë me kuriozitetin e tyre këtë ishull tejet interesant”, është shprehur Auron Tare.

Të ardhurat nga biletat do të përdoren vetëm për ishullin e Sazanit dhe menaxhimin e zonës. Tare thotë se, po punohet për kuadrin ligjor dhe për rregulloren që është hartuar, pasi sipas tij është shumë e rëndësishme që ishulli të vetëfinancohet. Kjo do të mundësojë restaurimin e godinave, hapjen e qendrës së vizitorëve dhe krijimin e qendrës kërkimore shkencore.

Top Channel