Rrjedhje gazi në një furrë buke në Fier, çifti përfundon në spital në gjendje asfiksie Rruga nga Bërzhita në Ibë, ku pak muaj më parë pati rrëshqitje masive të dheut, është pjesë e projektit Tiranë-Elbasan. E vetmja gjë, që provon se këtu është planifikuar ndërtimi i rrugës, janë disa mjete të braktisura prej kohësh nga punonjësit.
Por, kjo nuk është e vetmja pjesë e rrugës, ku kompania “Copri-Aktor”, që fitoi tenderin për ndërtimin e një prej veprave më të rëndësishme infrastrukturore në vend nuk punon. Edhe në zonën e Mulletit, ku punohej me ritme të ngadalta, çdo gjë duket se është bllokuar.
Në dyert e zyrave të braktisura të kompanisë gjejmë disa prej nënkontraktorëve të kompanisë, të cilët thonë se prej kohësh nuk kanë marrë pagesat nga shoqëria, e cila nga ana e saj u thotë se nuk është paguar nga shteti.
“U bë më shumë se një vit, që nuk marr pagën e punës. Këto thonë se nuk na ua ka dhënë shteti lekët. Unë s’kam gjë as me shtetin, as me firmën, jam thjesht punonjës dhe bëj punën time. Vjen fundi i muajit e paguaj faturën”, thotë një prej punonjësve.
“S’kemi marrë lekët, situacionet etj. Me një gjë të tillë, duke qenë se unë sigurimet i paguaj, shoferin e paguaj dhe me kredi jemi, kemi shkuar aty ku s’mbajmë më”, tha një tjetër punonjës.
Një tjetër çështje e mbetur pezull duket se është fati i familjeve, që kanë shtëpitë në afërsi të rrugës ku ndodhën rrështitjet e dheut, çeshtje e cila është kthyer në një tjetër argument përplasjeje mes shoqërisë dhe qeverisë.
“Nuk na kanë dhënë asnjë lloj rrugëzgjidhjeje”, tha një banor i zonës.
I pyetur mbi projektin, ministri Haxhinasto thotë se, ai mbart simptomat e projekteve të zhvilluara në përgjithësi në Shqipëri, me studime dhe zgjidhje teknike difektoze. Në këto kushte, qeveria nuk përjashton dhe ndërprerjen e kontratës me kompaninë.
“Nuk përjashtojmë edhe përfundimin e kontratës me kontaktorin aktual dhe realizimin e përfundimit të punimeve ndoshta me një kompani tjetër. Nuk e them për të intimiduar ndonjë kontraktor apo dikë tjetër. Në Shqipëri ka përfunduar koha, kur kompanitë mund të vijnë dhe të bëjnë gallatë me paratë e shtetit dhe qytetarëve shqiptarë”, tha ministri Edmond Haxhinasto, ministër i Transportit dhe Infrastrukturës.
Përplasja mes shoqërisë dhe kompanisë ka nisur muaj më parë, kur për shkak të disa situatave të krijuara, kompanisë nuk i janë njohur situacionet e punimeve. Ajo që i dha një tjetër shtysë konfliktit është se, kujt do t’i njihen shpenzimet për riparimin e rrugës së dëmtuar nga shembjet e mëdha para disa muajve, që sollën bllokimin e rrugës.
Vetë kompania sqaron se pengesat që ka hasur për përfundimin e punimeve në segmentin e parë të rrugës kanë të bëjnë me fenomene natyrore. Për këtë, në bashkëpunim me njësinë e menaxhimit të projektit dhe supervizorin janë ftuar ekspertë të huaj, që kanë monitoruar zonën e rrëshqitjeve, kanë hartuar raportet dhe janë paraqitur në njësinë e mbikëqyrjes, opsione të ndryshme zgjidhjesh, për të cilat do të vendosë ARRSH.
Kompania thotë se është në Shqipëri për vazhdimin e projektit deri në përfundimin e tij, ndërsa çdo veprim i njëanshëm do të ketë jo vetëm kosto më të lartë por do të rrezikojë edhe vonesa në përfundimin e veprës.
Top Channel