Qeveria Rama, ndryshe nga të mërkurat e tjera, ka zgjedhur që këtë mbledhje të radhës të kabinetit ta zhvillojë në vilën qeveritare në Dajt.
Takimi i ministrave në Dajt është mbledhja e fundit e qeverisë për këtë sezon përpara rimbledhjes së saj në fund të gushtit.
Në këtë mbledhje të kabinetit qeverisës, në fokus është analiza e qeverisjes në këtë sesion parlamentar që u mbyll. Mbledhja disaorëshe në Dajt, do të ketë në fokus gjithashtu prioritetet për sesionin parlamentar të vjeshtës.
Mbledhja e qeverisë bëhet në kohën kur janë intensifikuar zërat për ndryshime jo vetëm emrash në kabinet, por edhe të portofoleve që mbajnë PS e LSI në të.
Në kuadër të reformës në drejtësi, që është edhe nisma më e rëndësishme e mazhorancës në pjesën e mbetur të vitit, kanë qenë të pranishme gjithmonë e më shumë aludimet mediatike, se Ministria e Drejtësisë do të mbahet pas vjeshtës nga Partia Socialiste, për t’i lënë LSI-në një tjetër dikaster qeveritar.
Kryetari i LSI-së, nuk ka qenë asnjëherë mohues ndaj këtyre ndryshimeve, ndërsa kryeministri asnjëherë pohues për ndryshime të mundshme të qeverisë në vjeshtë.
Top Channel